Ukraina raporton për viktima nga një sulm ajror rus – Shqip

by admin
Spread the love

Ukraina tha se një sulm rus në rajonin verilindor të Sumit la të vrarë tre persona dhe të plagosur katër të tjerë.

Rajoni Sumi gjendet në kufi me Rusinë dhe që kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës pothuajse dy vjet më parë ka qenë shënjestër e sulmeve të ushtrisë së Moskës. Por, ky rajon gjendet larg zonave ku ka luftime intensive, që gjenden më në jug.

“Tre të vdekur dhe katër të plagosur: pasojat e një sulmi ajror rus në rajonin e Sumit”, shkroi në Telegram më 9 shkurt ministri i Brendshëm ukrainas, Igor Klymenko.

Ai tha se viktimat gjendeshin “në një punëtori të një firme bujqësore” në një fshat, kur u goditën nga sulmi rus.

Ministri ukrainas tha se Rusia lëshoi shtatë bomba të komanduara në qarkun e Sumit. Ai nuk tregoi emrin e fshatit, por publikoi fotografi të ekipeve të shpëtimit që kishin dalë në vendin e ngjarjes. Në fotografi dukej se një ndërtesë e vogël ishte shkatërruar nga sulmet.

Forcat ruse kishin hyrë në Sumi, por ishin dëbuar nga territori i këtij rajoni në nisje të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022./REL

You may also like