Ukraina paralajmëron evakuime, Perëndimi përgatit ndihmën humanitare

by admin
Spread the love

Ukraina po përgatitet për shtimin e sulmeve nga Rusia dhe paralajmëroi sot mundësinë për një raund të ri evakuimesh nga kryeqyteti, pas një qetësie relative nga sulmet ajrore mbi infrastrukturën energjitike në javët e fundit.

Ndërkohë, në Perëndim, po rriten përgatitjet për shtimin e ndihmave humanitare për Ukrainën, veçanërisht për ngrohjen në muajt e ftohtë të dimrit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se trupat ruse “po përgatisin sulme të reja dhe për sa kohë të kenë raketa në dispozicion, ato nuk do të ndalen”.

“Kjo javë mund të jetë po aq e vështirë sa ajo që kaloi,” tha zoti Zelenski.

Ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt vizitoi sot Kievin duke u shprehur se situata është dëshpëruese. “Shumë këtu përballen me një zgjedhje të zymtë: të ikin ose të ngrijnë”, tha ajo.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se një pjesë e popullsisë së qytetit me 3 milionë banorë mund të duhet të evakuohen në vende ku do të ketë më pak gjasa të ndërpriten shërbimet thelbësore, në rast sulmesh nga raketa ruse.

Rusia ka goditur infrastrukturën energjitikë të Kievit duke shkaktuar ndërprejre të furnizimit me energji dhe ujë.

Temperaturat pritet të arrijnë deri në minus 11 gradë në më pak se një javë ndaj ndihmat ndërkombëtare po përqendrohet gjithnjë e më shumë në artikuj të tillë si gjeneratorët dhe transformatorët.

Shefi i politikës së jashtme evropiane, Josep Borrell teksa drejtonte një takim të ministrave të BE-së, tha se Perëndimi duhet të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën me më shumë materiale për të përballur dimrin, pasi sipas tij, Presidenti Vladimir Putin po përpiqet ta kthejë Ukrainën në një vrimë të zezë, pa dritë, pa energji, pa ngrohje.

Gjatë tre ditëve të ardhshme, zyrtarë të lartë të NATO-s dhe ministrat e jashtëm do të mblidhen në Bukuresht të Rumanisë, ku do të diskutohet për çështje të ndihmës humanitare.


Top Channel

You may also like