Ukraina nuk do të dorëzohet kurrë, na jepni armët që na duhen për të fituar – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Volodymyr Zelensky

Përkundër të gjitha shanseve që na servireshin dhe skenarëve të zymtë, Ukraina nuk kapitulloi. Ajo është e gjallë dhe po reziston. Dhe kjo më jep një arsye të fortë për të ndarë me ju fitoren tonë të parë të përbashkët: Ne e mundëm Rusinë në betejën për zemrat dhe mendjet e gjithë qytetarëve të botës.

Ne nuk kemi frikë dhe askush në botë nuk duhet të ketë. Ukrainasit e kremtuan këtë fitore dhe ajo na jep një kurajë që po e frymëzon mbarë botën. Amerikanët e arritën bashkë me ne këtë fitore, dhe kjo është arsyeja pse ju keni arritur të bashkoni komunitetin global në mbrojtje të lirisë dhe ligjit ndërkombëtar.

Evropianët e korrën këtë fitore, dhe kjo është arsyeja pse Evropa është sot më e fortë dhe më e pavarur se kurrë. Tirania ruse e ka humbur kontrollin mbi ne. Dhe ajo nuk do të ndikojë më mbi mendjet tona. E megjithatë, ne duhet të bëjmë gjithçka që duhet për t’u siguruar që një fitore të tillë ta arrijnë edhe vendet e Jugut Global.

Unë di një gjë, që mendoj se është shumë e rëndësishme: Rusët do të kenë një shans për të qenë të lirë vetëm kur të mposhtin regjimin e Kremlinit në mendjet e tyre. Megjithatë, beteja vazhdon, dhe ne më parë duhet të mposhtim Kremlinin në fushën e betejës.

Kjo luftë nuk është vetëm për territorin, për këtë apo atë pjesë tjetër të Evropës. Beteja jonë nuk është vetëm për jetën, lirinë dhe sigurinë e ukrainasve apo çdo kombi tjetër që Rusia përpiqet të pushtojë. Kjo luftë do të përcaktojë se në çfarë bote do të jetojnë fëmijët dhe nipërit tanë, dhe pastaj fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e tyre.

Kjo betejë nuk mund të shtyhet, dhe as të shpërfillet me shpresën se oqeani apo diçka tjetër do të sigurojë një mbrojtje. Nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, nga Evropa në Amerikën Latine dhe nga Afrika në Australi, bota është shumë e ndërlidhur dhe e ndërvarur dhe nuk mund ta lejojë askënd që të qëndrojë mënjanë dhe në të njëjtën kohë të ndihet i sigurt kur vazhdon një betejë e tillë.

Dy kombet tona janë aleate në këtë betejë. Dhe viti i ardhshëm do të jetë një pikë kthese, momenti kur guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane duhet të garantojnë të ardhmen e lirisë sonë të përbashkët, lirinë e njerëzve që mbrojnë vlerat e tyre.

Para se të vija këtu në Uashington, isha për një vizitë në vijën e parë të frontit, në Bakhmut, fortesa jonë në lindje të Ukrainës, në Donbas. Ushtria ruse dhe mercenarët e kanë sulmuar pa reshtur që nga muaji maj, ditë dhe natë, e megjithatë qyteti po reziston. Vitin e kaluar, atje jetonin 70.000 njerëz ndërsa sot janë vetëm pak civilë.

Çdo pëllëmbë e asaj toke është e lagur me gjak. Zhurma shurdhuese e armëve dëgjohet në çdo orë. Llogoret në Donbas ndryshojnë duar disa herë në ditë si pasojë e luftimeve të ashpra, madje edhe luftimeve trupore. Por Donbasi po reziston. Rusët po përdorin gjithçka që kanë kundër Bakhmut dhe qyteteve tona të tjera dhe të bukura.

Pushtuesit kanë një avantazh të konsiderueshëm në artileri. Ata kanë avantazh në municione. Kanë shumë më tepër raketa dhe avionë sesa kemi pasur ne ndonjëherë. E megjithatë forcat tona mbrojtëse po vazhdojnë të rezistojnë. Dhe ne të gjithë jemi krenarë për ta. Taktika e rusëve është primitive. Ata djegin dhe shkatërrojnë gjithçka që shohin.

Ata dërguan banditë të luftojnë në vijën e frontit. Dërguan në luftë të dënuarit e burgjeve. Ata hodhën gjithçka kundër nesh, ngjashëm me Gjermaninë naziste dikur. Por ashtu si ushtarët e guximshëm amerikanë që ruajtën pozicionet e tyre dhe luftuan kundër forcave të Hitlerit gjatë Krishtlindjeve të vitit 1944, edhe ushtarët e guximshëm ukrainas po bëjnë të njëjtën gjë kundër forcave të Putinit këtë Krishtlindje.

Mbështetja juaj është vendimtare, jo vetëm për të rezistuar në një luftë të tillë, por për të arritur pikën e kthesës, për të fituar në fushën e betejës. Është e vërtete që ne kemi artileri. Por ajo nuk mjafton. Që të sigurohemi që Bakhmut të mos jetë vetëm një fortesë që mban prapa ushtrinë ruse, por që kjo e fundit të tërhiqet plotësisht nga vendi ynë, na nevojiten më shumë topa dhe predha.

Nëse na i siguroni ato, atëherë ashtu si Beteja e Saratogës, edhe lufta për Bakhmut do të ndryshojë trajektoren e luftës sonë për pavarësi dhe për liri. Nëse raketat tuaja “Patriot” do të ndalin terrorin rus kundër qyteteve tona, kjo do t’i japë mundësi patriotëve ukrainas që të mbrojnë si duhet lirinë tonë.

Kur Rusia nuk mundet të arrijë qytetet tona me artilerinë e saj, ajo përpiqet t’i shkatërrojë ato me sulme raketore. Për më tepër, Rusia ka gjetur një aleat në këtë në këtë politikë gjenocidale: Iranin. Dronët vdekjeprurës iranianë të dërguar në Rusi u bënë një kërcënim për infrastrukturën tonë jetike.

Kështu një regjim terrorist ka gjetur mbështetje tek një regjim tjetër terrorist. Nëse ne nuk i ndalim tani, është vetëm çështje kohe kur ata do të godasin aleatët tuaj të tjerë. Ne duhet ta bëjmë këtë. Unë besoj se në aleancën tonë nuk duhet të ketë tabu. Ukraina nuk u kërkoi kurrë ushtarëve amerikanë që të luftonin në tokën tonë në vendin tonë.

Unë ju siguroj se ushtarët ukrainas mund të drejtojnë vetë në mënyrë të përsosur tanket dhe avionët amerikanë. Po ashtu e rëndësishme është edhe ndihma financiare, dhe dua t’iu falënderoj për këtë. Faleminderit shumë për të dyja paketat financiare që na keni dërguar tashmë dhe për ato që mund të jeni të gatshëm të na dërgoni.

Kjo ndihmë nuk është një akt bamirësie, por një investim mbi sigurinë dhe demokracinë globale, të cilin ne po e menaxhojmë trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme. Rusia mund ta ndalte agresionin e saj nëse do të donte, por ju mund ta shpejtoni fitoren tonë. Unë e di këtë.

Kjo do t`i dëshmojë çdo agresori të mundshëm, se askush nuk mund të ketë sukses në shkeljen e kufijve kombëtarë të një shteti sovran, se askush nuk mund të kryejë mizori dhe të sundojë mbi njerëzit kundër vullnetit të tyre. Do të ishte naive të presim hapa drejt paqes nga Rusia, e cila i gëzohet të qenit një shtet terrorist.

Rusët janë ende të helmuar nga propaganda e Kremlinit. Rivendosja e rendit juridik ndërkombëtar është detyra jonë e përbashkët. Nga ana tjetër është e vërtetë që ne kemi nevojë për paqe. Ukraina ka ofruar tashmë propozimet e saj, të cilat sapo i diskutova me presidentin Bajden, formulën tonë për paqe, 10 pika që duhet të zbatohen për sigurinë tonë të përbashkët, të garantuar për dekadat e ardhshme.

Më vjen mirë të them që Bajden e mbështeti nismën tonë të paqes. Zonja dhe zotërinj, secili prej jush mund të ndihmojë në ruajtjen e unitetit dypartiak në lidhje me luftën në vendin tim. Ju keni mundësi të forconi sanksionet, për ta detyruar Rusinë të ndiejë se sa shkatërrues është në fakt agresioni i saj. Ju i keni të gjitha mundësitë të na ndihmoni të nxjerrim para drejtësisë të gjithë ata që filluan këtë luftë të paprovokuar dhe kriminale.

Le ta detyrojmë shtetin terrorist të Rusisë që të mbajë përgjegjësi për terrorin dhe agresionin e tij, dhe të kompensojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga kjo luftë. Le të shohë bota që Shtetet e Bashkuara janë këtu. Pas 2 ditësh do të festojmë Krishtlindjet. Ndoshta me qiri. Jo sepse është kështu më romantike, por sepse nuk do të ketë energji elektrike.

Miliona ukrainas nuk do të kenë as ngrohje dhe as ujë të rrjedhshëm. Të gjitha këto janë pasojë e sulmeve ruse me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturën tonë energjetike. Por ne nuk ankohemi. Ne nuk gjykojmë kërkënd dhe as bëjmë krahasime se jeta e kujt është më e lehtë. Mirëqenia juaj është produkt i sigurisë suaj kombëtare; rezultat i luftës suaj për pavarësi dhe fitoreve tuaja të shumta.

Edhe ne, ukrainasit, do ta kalojmë luftën tonë për pavarësi dhe liri me dinjitet dhe sukses. Ne do të festojmë Krishtlindjet, edhe nëse nuk ka energji elektrike, sepse drita e besimit tek vetja jonë nuk do të shuhet. Nëse raketat ruse na sulmojnë, ne do të bëjmë çmos që të mbrojmë veten. Nëse na sulmojnë me dronë iranianë, dhe njerëzit tanë do të detyrohen të futen në vendstrehime në prag të Krishtlindjeve, ukrainasit do të ulen sërish në tryezën e festave dhe do të gëzojnë me njëri-tjetrin. Ne qëndrojmë, luftojmë dhe do të fitojmë sepse jemi të bashkuar, Ukraina, Amerika dhe e gjithë bota e lirë.

Shënim: Pjesë nga fjalimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky para Kongresit Amerikan.

Lexo lajme interesante

You may also like