Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë perspektivat e tij mbi luftën, bashkëpunimin mes Kosovës dhe Ukrainës, dhe paralelizmat historikë midis përvojave të dy vendeve.
Në një intervistë për agjencinë ukrainase të lajmeve UNIAN, ka treguar mbështetje të palëkundur për Ukrainën pas pushtimit nga Rusia.
Kurti theksoi se mbështetja e Kosovës për Ukrainën nuk është vetëm simbolike, por e rrënjosur në përvojën e ngjashme historike të Kosovës me agresionin dhe luftën për pavarësi.
“Fitorja e Ukrainës do të thotë çlirim i territorit të saj dhe paqe për qytetarët e saj,” u shpreh Kurti.
Ai vuri në dukje se për popullin e Kosovës, imazhet e luftës në Ukrainë risollën kujtimet e hidhura të luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.
Ai kritikoi disa vende evropiane për mosveprimin e mjaftueshëm, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë ndihmën e saj për Ukrainën në aspektin ushtarak dhe ekonomik.
Kryeministri shtoi se Kosova ka ofruar trajnime për pastrimin e minave dhe mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Tutje, Kurti ka folur për përvojat që Ukraina mund të marrë nga periudha pas luftës së Kosovës.