Ukraina dhe Rusia zgjasin marrëveshjen për drithërat

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Turqia mund ta quajë si suksesin e saj diplomatik. Presidenti Erdogan bëri të ditur se Ukraina dhe Rusia vendosën të zgjasin marrëveshjen e drithërave.

Ishte presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan që e bëri vetë të ditur zgjatjen e marrëveshjes së drithërave mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ende nuk është e qartë, se sa kohë do të jetë në fuqi marrëveshja. Në një kohë që Ankaraja shpreson për një zgjatje prej dy muajsh, Moska këmbëngul për një kufi prej 60 ditësh dhe e lidh këtë me disa kërkesa. Kremlini ankohet, se sanksionet perëndimore pengojnë eksportin e artikujve ushqimorë rusë dhe plehrave kimikë. Po ashtu Kremlini këmbëngul që të ketë lehtësime tek pagesat e bankave, logjistikën e transportit dhe sigurimet. Rusia kërkon të përdorë sërish gazsjellësinë për amoniak që nuk është në përdorim aktualisht.

Pa ujdinë marrëveshja e drithërave do të kishte skaduar të dielën. Ujdia për iniciativën në Detin e Zi u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë në korrik 2022. Ajo parashikon përdorimin e porteve ukrainase dhe një korridor në Detin e Zi për eksportin e drithërave. Rusia pengoi daljen e drithërave nga Ukraina pas fillimit të luftës në Ukrainë gjë që shkaktoi një rritje të çmimeve ushqimore në mbarë botën dhe shtoi shqetësimet për krizë urie në vendet e varfra.

Putin në Krime

Rusia rrëmben të korrat

Ndërkohë Rusia sërish ka marrë drithëra nga zonat e pushtuara dhe i ka dërguar në Rusi. Porti Berdjanks në Detin Azov ka shërbyer për të nxjerrë drithin, bëri të ditur shtabi i përgjithshëm ukrainas. Kurse kreu i zonave të pushtuara në Saporishja, Jevgeni Balizki bëri të ditur në telegram, se janë planifikuar të merren me anije dhe trena deri në dy milionë tonë drithëra nga zonat e kontrolluara nga Rusia. Një gjysmë toni është për përdorim vetjak në këto zona. Ukraina humb të ardhura të rëndësishme eksporti përmes marrjes së drithërave nga Rusia në zonat e pushtuara./DW


Top Channel

You may also like