Uka: Jam skeptike se sa do të respektohet ligji për çmimin e ilaçeve (VIDEO)

by admin
Spread the love

Projektligji lidhur me çmimin e produkteve medicinale tashmë ka kaluar edhe në ekzekutivin kosovar, dhe i njëjti pritet që të sillet edhe në Kuvend për diskutim dhe pas dy leximeve të hyjë në fuqi.

Lidhur me këtë është diskutuar sot në emisionin Info Magazine në Shqip, ku gazetarja Arbëreshë Uka u shpreh skeptike lidhur me atë se si do të respektohet çmimi i produkteve medicinale.

“Unë jam paksa skeptike në zbatueshmërinë e këtij ligji, megjithëse shumë i mirëseardhur”.

“Sa është e mirë kjo në dobi të qytetarëve, unë si gazetare në terren që më ka rënë të has kur kemi raportuar për mungesë ilaçesh në QKUK, që qytetarët detyrohen të blejnë fatkeqësisht kur bëhet fjalë për terapitë e shtrenjta – është një shembull konkret në regjionin e Prishtinës ose kudo qoftë, në tri barnatore që janë ngjitur me njëra tjetrën, çmimi i një ilaçi – nëse është i shtrenjtë – diferenca është me 10 euro. Pra, nëse në barnatoren e parë e ke gjetur 60 euro, në të dytën e ke gjetur me çmim 70 euro dhe në të tretën e ke gjetur ilaçin e njëjtë me 80 euro”.

“Pra, kaq shumë luhet me çmimin e barnave. Njëjtë e shfrytëzojnë edhe në periferi, nëpër fshatra e zonat më rurale që është një barnatore e vetme, e shumëkush nuk ka mundësi t’i qaset qytetit dhe ka urgjencë, dhe aty abuzohet dyfish me çmime, qoftë me antibiotikë dhe ilaçe të tjera që ndoshta e kanë spektrin më të madh të përdorimit te popullata”, u shpreh Uka.

Sipas saj, kjo nismë do t’i ndihmojë qytetarët duke e pasur parasysh abuzimin me çmime të ilaçeve që është bërë deri tani.

“Nëse një antibiotik e kemi blerë diku 2.5 euro dhe diku tjetër e ke gjetur me çmim 3.5 ose 4.5, tani pra një antibiotik me rol të njëjtë e gjen me çmim të njëjtë. Kjo është ideja e unifikimit si në fshat, si në Breg të Diellit, si në Fushë Kosovë, Suharekë e qytete tjera, pra kjo është e mira”, sqaroi gazetarja e Klan Kosovës, Arbëreshë Uka.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

You may also like