UEFA Development Tournament U16, Bulku: Mundësi e mirë të shohim forcën e grupit

by admin
Spread the love

Ervin Bulku dhe Shqipëria U16 janë gati për UEFA Development Tournament U-16. Trajneri i kuqezinjve, për fshf.org ka deklaruar: “Mendoj që bashkë me të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtareve, me të gjithë stafet e ekipeve Kombëtare kemi bërë këtë zgjedhje, këta djem që janë sot këtu të pranishëm. Ka edhe disa të tjerë, disa për efekt të formës që po kalojnë, disa për efekt dokumentesh dhe mendoj që ky do jetë pak a shumë grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Europian.

Pa diskutim ky është një test, një turne shumë i mirë, do thoja mundësia më e mirë nëse do të shohësh një skuadër, se sa e gatshme është për një kompeticion siç është edhe Europiani. Ky është një turne dhe një mundësi shumë e mirë për t’i parë lojtarët nga afër, për të parë gjendjen e tyre, por dhe forcën e harmoninë që ka ky grup për të ardhmen”.

“Ne kemi planifikuar edhe miqësore të tjera. Si ky turne ndoshta mund të ketë dhe një turne tjetër. Gjithçka varet nga çfarë do të ndodhë deri para Europianit sepse dihet që nuk është e lehtë të gjesh turne dhe të gjesh skuadra si në këtë turne.

Kjo grupmoshë ka pasur mundësi shumë të mira. Është turneu i dytë i këtyre përmasave, pas një turneu në Kroaci një vit më parë, kjo datëlindje e 2006-s dhe mendoj që këto dy turne do i shërbejnë shumë këtij grupi për të qenë sa më i gatshëm për eliminatoret e Europianit”.

“Ne do mundohemi deri në muajin tetor të zgjedhim më të mirët që ka kjo grupmoshë në të gjithë kampionatet. Të mos harrojmë që tani që po flasim, këtu kemi edhe nga Amerika, janë shqiptarë që luajnë në kampionatin amerikan. Është e vështirë për shkak të distancës, por ne do mundohemi dhe do vazhdojmë të kërkojmë të gjithë lojtarët e kësaj grupmoshe, kudo që të ndodhen. Do shkojmë t’i vëzhgojmë ose do i thërrasim këtu që më pas të zgjedhim më të mirët që do përfaqësojnë Shqipërinë”, tha Bulku.

Turneu do të nisë më 9 prill, ku ndeshja e parë do të jetë Shqipëri – Irlandë e Veriut, me sfidën që nis nga ora 11:00. Në po të njëjtën ditë do të luajë edhe Luksemburgu kundër Perusë, në orën 14:00. Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më date 11 prill, me Shqipëri – Peru që zhvillohet në orën 11:00 dhe Irlandë e Veriut – Luksemburg në orën 14:00. Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 14 prill, me Shqipëri – Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru – Irlandë e Veriut në orën 13:00. / oversport.tv

You may also like