Udinese mposhtet pas 9 ndeshjesh, Torino triumfon në “Dacia Arena”

by admin
Spread the love

Udinese ndalet pas 9 ndeshjesh pa humbje në Serie A dhe mposhtet në shtëpi nga Torino me rezultatin e ngushtë 2-1. Të besuarit e Ivan Juric rikthehen te fitorja pas 4 ndeshjesh “thatësirë” dhe e bëjnë këtë gjë përballë surprizës së sezonit, Udineses. Aina dhe Pellegri janë ata që i japin fitoren Torinos, ndërsa goli i Deulofeu ka vetëm vlerë statistikore edhe pse vendosi përkohësisht baraspeshën.

Ndeshja nis mirë për miqtë që rrezikojnë menjëherë me Sasa Lukic, por ky i fundit nuk tregohet i saktë. Megjithatë pas çerek ore lojë Ola Aina arrin të zhbllokojë shifrat duke çuar Torinon në avantazh. Miranchuk pason mirë në zonë dhe Aina i pa shqetësuar nga lojtarët e Udineses e ka të lehtë të çojë topin në rrjetë.

Udinese kundërpërgjigjet shpejt dhe vendos baraspeshën me anë të Gerard Deulofeu. Udogie përfiton nga një gabim në mbrojtjen e Torinos dhe nxjerr me portën e boshatisur Gerard Deulofeun që e ka të lehtë të çojë topin në fundin e rrjetës. Ekipet provojnë vazhdimisht, por pjesa e parë mbyllet në barazim.

Në pjesën e dytë, është sërish Torino që kalon në avantazh. Radonjic pason në zonë për Pellegrin që mbron mirë topin dhe me një goditje detyron portierin Silvestri të nxjerrë topin nga rrjeta. Udinese provon të reagojë, por në minutat e mbetura nuk është shumë e qartë përpara portës. Në fund është Torino që triumfon dhe del me pikë të plota nga kjo transfertë duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve. Nga ana tjetër, Udinese qëndron në kuotën e 21 pikëve. /oversport.tv

Foto: Torino Football Club, Twitter

You may also like