UASHINGTON – Zelensky: Zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë ose më shumë avionë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 16 mars /ATSH-DPA-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje ligjvënësve amerikanë që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi në vendin e tij të shkatërruar nga lufta ose, përndryshe, Uashingtoni të dërgonte më shumë avionë luftarakë.

”Rusia e ka kthyer qiellin e Ukrainës në një burim vdekjeje për mijëra persona”, tha ai në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në Kongresin Amerikan.

”Bombardimi gati tri javor i vendit nga presidenti rus Vladimir Putin është një terror që Evropa nuk e ka parë 80 vitet e fundit”, theksoi ai.

Zelensky tha se nëse një zonë ndalim-fluturimi është “shumë për të kërkuar”, atëherë SHBA duhet t’i dërgojë Ukrainës më shumë avionë luftarakë për të mbrojtur popullin e tij.

“Fati i vendit tonë është vendosur”, u tha ai senatorëve dhe përfaqësuesve në fjalimin, i cili iu referua edhe sulmeve të 11 Shtatorit, atij japonez në Pearl Harbor, Martin Luther King Jr dhe maleve Rushmore, ku gjenden bustet e katër prej presidentëve më të njohur amerikanë, Washington, Jefferson, Roosevelt dhe Lincoln.

SHBA dhe fuqitë e tjera të NATO-s kanë refuzuar vazhdimisht sugjerimin e një zone  ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një luftë më të gjerë me Rusinë.

”Ne po luftojmë për vlerat tuaja dhe të Evropës”, theksoi Zelensky.

“Ukraina është mirënjohëse ndaj SHBA, por ju kërkoj të bëni më shumë për të ndaluar makinën ruse të luftës. Të gjithë politikanët e Rusisë duhet të sanksionohen, të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen nga Rusia. Mbyllini portet tuaja drejt Rusisë”, tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij video, përpara Kongresit Amerikan./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like