UASHINGTON, 14 gusht /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara te Amerikes miratuan dje shitjen e mundshme te armëve për Izraelin – me vlerë rreth 20 miliardë dollarë – duke përfshirë më shumë se 50 avionë luftarakë dhe raketa të avancuara, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një deklaratë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kishte miratuar shitjen e mundshme të avionëve dhe pajisjeve F-15 me vlerë rreth 19 miliardë dollarë. Dorëzimi vlerësohet të fillojë në vitin 2029.
“Blinken kishte miratuar gjithashtu shitjen e mundshme të fishekëve të tankeve me vlerë rreth 774 milionë dollarë dhe automjeteve të ushtrisë me vlerë rreth 583 milionë dollarë”, tha DSCA.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit – dhe është jetike për interesat kombëtare të SHBA-së që të ndihmojë Izraelin që të zhvillojë dhe mbajë një aftësi të fortë dhe të gatshme vetëmbrojtëse. Kjo shitje e propozuar është në përputhje me këto objektiva”, thuhet në deklaratë.
DSCA tha se kishte dorëzuar certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin për shitjen e mundshme të armëve.
Njoftimi vjen ndërsa Lindja e Mesme përgatitet për një valë të re sulmesh nga Teherani dhe aleatët e tij kundër Izraelit lidhur me ngjarjet e fundit.
Uashingtoni ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për një armëpushim në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës.
Si aleati më i rëndësishëm i Izraelit, SHBA-ja – prej disa kohësh – i ka kërkuar Izraelit të rrisë mbrojtjen e popullatës civile dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës. //a.i/