UASHINGTON – Biden: SHBA-Francë në një luftë të përbashkët kundër brutalitetit rus

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 1 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden theksoi nevojën për të formuar një front të përbashkët kundër Rusisë gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

“Si aleatë në NATO, së bashku me Bashkimin Evropian dhe G7 dhe partnerët në mbarë botën, Franca dhe SHBA-ja po përballen me ambicien e Vladimir Putin për pushtim dhe luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Biden.

“Së bashku, ne do të vazhdojmë të përballemi me brutalitetin rus”, theksoi presidenti amerikan, duke shtuar se SHBA-ja dhe Franca do të vazhdojnë të punojnë së bashku për ta vendosur Rusinë përballë përgjegjësisë.

Gjatë një fjalimi para Shtëpisë së Bardhë, të dy presidentët theksuan partneritetin e ngushtë mes dy vendeve, edhe përballë krizave aktuale.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe krizat e shumta me të cilat përballen vendet dhe shoqëritë tona nënkupton se ne duhet të bëhemi përsëri vëllezër që luftojnë së bashku në të njëjtën anë”, tha Macron.

Macron ndodhet në SHBA në një vizitë zyrtare disaditore. Ndryshe nga vizitat e rregullta të punës, protokolli është shumë më kompleks dhe përfshin edhe banketin shtetëror.

Macron është i ftuari i parë i huaj në mandatin presidencial të Biden që nderohet me këtë pritje.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like