Turneu ‘UEFA Development U-15’/ Shqipëria mposhtet me përmbysje nga Sllovakia

by admin
Spread the love

Shqipëria U-15 për djem ka luajtur këtë të premte sfidën e dytë kundër Sllovakisë, e vlefshme për turneun “UEFA Development U-15” për djem. Në ndeshjen e luajtur në “Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare” në Kamëz, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama u mundën me rezultatin 4-3, teksa dhuruan një paraqitje spektakolare, me tre gola të realizuar e shumë raste të tjera të arta për të shënuar.

Ndeshja nis mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët kontrollojnë mirë topin dhe arrijnë të fitojnë një penallti në minutën e 10-të, me Emiljano Mihanën që pengohet brenda zonës kundërshtare. Dhe është pikërisht Mihana, ai i cili kalon në avantazh ekipin, pasi ekzekuton në mënyrë të saktë këtë 11-metërsh.

Epërsia e kuqezinjve zgjat shumë pak pasi sllovakët arrijnë të gjejnë golin e barazimit në minutën e 11-të, me Simon Koribskyn. Ndeshja bëhet më e luftuar pas këtyre dy golave, me të dyja ekipet që kërkojnë të gjejnë sërish rrjetën. Në minutën e 26-të ka sërish penallti, por këtë herë në favor të sllovakëve, pas një ndërhyrje të gabuar nga mbrojtësi i ekipit tonë. Maxim Mateas realizon golin e dytë për Sllovakinë, duke kaluar kështu në epërsi ekipin e tij.

Në minutën e 31-të të takimit, Emiljano Mihana bëhet sërish protagonist te kuqezinjtë, teksa dhuron një top mjaft të bukur për Endri Agollin, i cili futet në zonën kundërshtare dhe dërgon topin në rrjetë duke mposhtur portierin sllovak e duke barazuar kështu edhe shifrat në 2-2. Pesë minuta më vonë, sllovakët realizojnë sërish David Poltak, teksa pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-3 për kundërshtarët, me pesë gola të shënuar dhe me një ndeshje spektakolare nga të dyja ekipet.

Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Dama bën disa zëvendësime, duke freskuar ekipin. Darli Kurti, Matia Koci e Leo Begolli lënë lojën, teksa në vend të tyre Dama hedh në fushë Elio Gjoshin, Arian Gavellin e Xhoni Shegën. Pas disa rasteve mjaft të mira për kuqezinjtë, të cilët shkojnë disa herë pranë zonës kundërshtare për të gjetur golin e barazimit, ky moment vjen vetëm në minutën e 65-të. Xhoni Shega dhuron një top mjaft të bukur në drejtim të Alen Vukaj, i cili e dërgon drejt e në rrjetën kundërshtare duke barazuar shifrat. Barazimi zgjat pak minuta, pasi sllovakët na ndëshkojnë sërish në minutën e 70-të, duke realizuar kështu golin e katërt e duke vulosur edhe rezultatin e kësaj ndeshje me shifrat 4-3. Minuta në këtë pjesë të dytë kishte edhe për Armir Boriçin, Uesli Arapin e Amer Kthupin.

Kjo ishte ndeshja e dytë e këtij turneu që po zhvillohet në Shqipëri, teksa sfidat e fundit do të luhen më datë 7 nëntor, me Ishujt Faroe – Sllovaki që do të luhet në ora 10:00 dhe Shqipëri – San Marino në orën 13:30. Aktualisht, Shqipëria është në kuotën e tre pikëve, ndërsa në vendin e parë renditet Sllovakia me gjashtë pikë. San Marino e Ishujt Faroe do të luajnë me njëra-tjetrën në ora 13:00.

You may also like