TSMC, prodhuesi më i madh i chip-ave në botë, regjistroi fitim neto rekord në tremujorin e dytë, duke ndihmuar në zbehjen e frikës për kërkesën e dobët, për shkak të inflacionit të lartë dhe tepricës së gjysmëpërçuesve në treg.
Më poshtë janë disa nga shifrat kyçe të tre muajve të mbyllur më 30 qershor
-Të ardhurat 534,14 miliardë dollarë tajvanezë (18,16 miliardë dollarë), me rritje 43,5% krahasuar me një vit më parë. Kjo shifër mundi mesataren prej 524,02 miliardë dollarësh tajvanezë të vlerësimeve të analistëve të përpiluara nga Refinitiv.
-Fitimi neto ishte 237,03 miliardë dollarë tajvanezë, në rritje me 76,4% krahasuar me një vit më parë dhe më i lartë se pritshmëritë. Ky është një tremujor rekord sa i përket fitimit neto për TSMC.
Kompania, e cila është furnizuesi më i madh i chip-ave të Apple, deklaroi se pret që të ardhurat e saj në tremujorin e tretë të jenë midis 19,8 dhe 20,6 miliardë dollarë, në rritje krahasuar me 14,8 miliardë dollarë të së njëjtës periudhë një vit më parë.
Megjithatë, CEO i TSMC, CC Wei, deklaroi se disa nga shpenzimet kapitale të kompanisë do të “shtyhen në vitin 2023”. Ai përmendi si arsye “sfidat më të mëdha në zinxhirin e furnizimit” që po zgjat kohën e dorëzimit për disa pajisje për prodhimin e çipave.
Rezultatet e mira dhe pritshmëritë, por kujdesi në shpenzime theksojnë veprimet e matura të prodhuesve të chip-ave në një kohë shqetësimesh për rritjen e çmimeve dhe ndikimit në kërkesën e konsumatorëve, si dhe në ofertën e lartë të chip-ave.
Aksionet e chip-ave janë goditur këtë vit nga një mori shqetësimesh, mes të cilave ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, lufta Rusi – Ukrainë dhe rritja e kostove të materialeve. Muajin e kaluar, prodhuesi amerikan i chip-ave Micron, paralajmëroi për dobësimin e kërkesës për produkte konsumi.
Megjithatë, në tërësi, rezultatet e TSMC kanë zbutur disa nga shqetësimet e tregut të chip-ave dhe në veçanti të vetë kompanisë.
Sze Ho Ng, analist në China Renaissance, tha për CNBC se parashikimet e TSMC të bëjnë të mendosh se “do të vijojë të rritet edhe në një skenar në rënie të tregut të përgjithshëm të chip-ave” me bazë vjetore.
TSMC prodhon chip-a për kompani të tjera dhe përdor disa nga proceset produktive më të përparuara në botë.
Kompania deklaroi se ka vënë re njëfarë dobësimi në tregun e konsumit, si ai i smartphone-ve dhe PC, por biznesi i qendrave të të dhënave dhe ai i sektorit automobilistik, ka mbetur i “qëndrueshëm”.
Ndërkohë investitorët janë të shqetësuar për një tepricë të mundshme të chip-ave në treg. Aktualisht, nivelet e inventarëve janë mjaft të larta, gjë që të bën të mendosh për kërkesë të dobët, e cila mund të ushtrojë presion te çmimet e gjysmëpërçuesve.
Por Wei i TSMC deklaroi se nivelet e inventarëve po reduktohen dhe se rregullimet aktuale u ngjajnë një “cikli tipik” për gjysmëpërçuesit.
/ CNBC