Tronditet skuadra dardane, presidenti jep dorëheqjen pas eliminimit nga Europa

by admin
Spread the love

Gjilani u eliminua nga letonezët e Liepaja në raundin e parë të Conference League. “Skifterat” kanë mbetur edhe pa president, pasi Florim Zuka ka dhënë dorëheqjen.

Ky i fundit mori drejtimin e klubit dardan pesë vite më parë. Zuka investoi shumë te Gjilani. Vetëm njëherë nënkampion, dy kualifikime europiane, por asnjë titull, trofe që Gjilani nuk e ka fituar kurrë.

Zuka ka dhënë lajmin e keq për tifozët e ekipit të BKT Superligës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, aty ku shkruan: “Të nderuar qytetarë të Gjilanit, adhurues të futbollit në Kosovë dhe më gjerë.

Në fillim të vitit 2017 e morëm në menaxhim klubin e Futbollit Sc Gjilani. Që nga momenti i parë jam angazhuar që klubi të ketë një strukturë të qëndrueshme administrative dhe jam kujdesur maksimalisht që në aspektin financiar të mos ketë asnjë problem.

Për këto 5 vite e gjysme kemi investuar një shumë të madhe të mjeteve financiare, e tëra pasuri familjare, duke sjellë në Klub lojtarë për të cilët kemi menduar se mund të arrijmë synimet e përbashkëta që Sc Gjilani të pozicionohet në mesin e klubeve më të suksesshme në Kosovë.

Megjithëse kemi krijuar një organizim dhe stabilitet të kënaqshëm ku për këtë periudhe kohore dy here kemi siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, prapë se prapë duhet ta pranojmë se nuk e kemi arritur qëllimin final, që ka qenë Titulli Kampion.

Përkundër rezultateve të arritura, konsiderojmë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, dhe për këtë arsye që nga momenti i publikimit të këtij njoftimi ofroj dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryetarit të Klubit Sc Gjilani.

Njëkohësisht edhe kryesia aktuale është e dorëhequr së bashku me mua. Ftojmë të gjithë sportdashësit, donatorët, përfaqësuesit e Institucioneve Komunale, dhe çdo person tjetër të interesuar që të japë kontributin e vet në krijimin e një kryesie të re në mënyrë që Sc Gjilani të vazhdojë tutje drejt synimit të përbashkët, Titullit Kampion”, shkruan Zuka./Shqip


Top Channel

You may also like