trimërohet dhe Brnabiç, i përgjigjet Osmani – Shqip

by admin
Spread the love

Veprimet e Albin Kurtit na kanë sjellë në prag të konfliktit të armatosur, tha sot kryeministrja serbe Ana Brnabiç dhe shprehu mendimin se Serbia ka të drejtë dhe synim, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë.

Brnabiç tha se gjithçka që Kurti po bën në këtë moment është rrezik jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët dhe mbarë Evropën.

Ajo po ashtu tha se çdo ditë shihen shkelje të Marrëveshjes së Kumanovës, si dhe të Marrëveshjes së Brukselit.

“Prandaj jemi shumë afër dhe besoj se presidenti Aleksandar Vuçiç do të japë më shumë informacion rreth takimeve të tij për të kërkuar kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Sepse KFOR-i nuk po e bën punën e vet dhe sepse serbët në Kosovë nuk mund të ndjehen të sigurt. Aty rrezikohet jeta e tyre, përfshirë edhe fëmijët në kopshte”, tha ajo.

A mund të dërgojë Serbia një mijë ushtarë në Kosovë?

Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (SBA) të Serbisë, gjenerali Momir Stojanoviç, ka thënë se për momentin nuk është reale mundësia që të dërgohen një mijë ushtarë serbë në Kosovë.

“Nuk është realiste të dërgohen tani një mijë ushtarë serbë në Kosovë. Autoritetet në Beograd, të udhëhequra nga Aleksandar Vuçiç, nuk e përmendën rezolutën 1244 për vite me radhë, duke thënë se dokumenti ishte një ‘letër e vdekur’. Tani që politika e Vuçiqit për Kosovën ka rënë, ata po i referohen Rezolutës 1244 si kashtë”, ka thënë Stojanoviç, transmeton Kossev.

Osmani: Nuk do të ketë asnjëherë polici dhe ushtri serbe në territorin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në Kosovë nuk do të ketë më policë dhe ushtarë nga Serbia, pak orë pas kërcënimit të kthimit të ushtrisë në territorin e Kosovës nga Beogradi.

“Nuk do të ketë kurrë policë dhe ushtarë nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të realizohet kurrë!”, ka thënë Osmani.

Osmani shtoi se kërcënimi i hapur i agresionit nga Serbia të kujton mentalitetin që ekzistonte në vitin 1999, i cili përfundimisht shkaktoi një reagim ndërkombëtar ndaj sjelljes së Beogradit.

“Kërcënimi i hapur i agresionit policor dhe ushtarak në Serbi dëshmon se mentaliteti hegjemonist vazhdon në atë vend. Serbia duhet ta refuzojë atë dhe bota demokratike i dha goditjen më të fortë këtij të menduari në vitin 1999”, shtoi Osmani. /tesheshi.com/

 

 

You may also like