Tri skuadra brenda një edicioni, “ultimatiumi” i Ferizajt deri te marrëveshja me Flamurtarin, rrëfehet Megzon Visoka

by admin
Spread the love

Megzon Visoka është njëri prej trajnerëve të rinjë më me prespektivë në futbollin e Kosovës në vitet e fundit.

Por, për shkak të rrethanave të ndryshme, ai u përball me ndryshime të skuadrave herë pas here këtë edicion, raporton FrontOnline.

Edicionin 2021/22, Visoka e nisi si trajner i Ferizajt, ku pas fillimit të dobët, u shkarkua nga detyra më 16 shtator të vitit të kaluar.

Më pas, ai e mori drejtimin e klubit nga Lipjani, Arbëria e Dobrajës, me të cilin pati një përvojë jo të mirë.

Për shkak të problemeve të brendshme, Visoka dha dorëheqje në fillim të këtij muaji, dhe tashmë e ka nisur një aventurë të re në klubin ku mori hapat e parë, Flamurtari i Prishtinës.

Te Flamurtari i Prishtinës, trajneri i ri kishte marrë hapat e parë si trajner ku si 27-vjeçar mori “frenat” e skuadrës pas shkarkimit të Agron Selmanit.

Aso kohe, në dy ndeshje, Visoka me Flamurtarin mposhti Vllazninë e Pozheranit derisa pësoi humbje në Gjilan nga Gjilani.

Fillimin e një aventure të re dhe përvojën me ndryshimin e skuadrave herë pas here këtë edicion e ka rrëfyer vetë trajneri në një bisedë me FrontOnline.

May be an image of 5 people and text that says 'FER 0-0 ARB 00:43 ART MOTIO SV MEGZON VISOKA KOMPANI NDE TRAJNER /ARBERISE ART MOTION'

Ai tregon se me Flamurtarin ka synim të ngritet sa më lart në tabelë.

“Kam arritur marrëveshje ta drejtoj Flamurtarin për një vit e gjysmë me mundësi vazhdimi. Objektivi kryesor është që sa më parë të largohemi nga pjesa e poshtme e tabelës dhe të nisim ndërtimin e bazës së skuadrës për vitin e ri që të jemi sa më konkurues”, ka thënë Megzon Visoka, duke vazhduar:

“Poashtu, objektivi im personal deri në fund të edicionit është që sa më parë të instaloj filozofinë time të lojës dhe të tregojmë futboll atraktiv duke përfunduar sa më lart në tabelë”.

Rikthimin te Flamurtari thotë se e ka pasur në mendje, derisa thotë se kushtet e punës nuk janë edhe aq të mira.

“E kam pritur edhe më herët një rikthim në krye të Flamurtarit. Në të kaluarën nuk ka ndodhur pasi orentimi ka qenë te trajnerët e huaj, por ja që ndodhi tani dhe për këtë jam i lumtur. Kushtet e punës nuk janë më të mirat e mundshme pasi fusha e klubit tonë është me bari natyral dhe gjatë kësaj kohe e kemi të pamundur të stërvitemi aty. Një gjë e mirë është se kemi fushën e vogël të mbuluar ku po punojmë momentalisht”, theksoi ish-trajneri i A&N.

Tutje, ai tregon se skuadra prishtinase përgatitjet e radhës do t’i zhvillojë në Shqipëri.

“Udhëtojmë për Shqipëri për ta kryer fazën kryesore të përgatitjeve”, nënvizoi Visoka.

No photo description available.

Duke qenë se ishte në krye të tri skuadrave këtë edicion, i cili ende nuk ka mbaruar, Megzoni thotë se ky “fenomen” ishte mjaft i vështirë për të.

“Sinqerisht ky kampionat ka qenë shumë i vështirë për mua, për situatat ku kam kaluar. Fillimisht, isha në Ferizaj ku kam kaluar jashtëzakonisht mirë dhe kemi bërë një punë shumë profesionale me stafin tim. Çdo gjë ishte shumë mirë deri në fillimin e kampionatit ku nuk startuam siç kemi pritur. Te Ferizaj kanë ndodhur shumë ndryshime në kryesi me marketingun e madh, kishte shumë pritshmëri. Kjo rriti në një formë pritshmëritë e publikutdhe pastaj nisi një presion i paparë ndaj futbollistëve, stafit të kryesisë dhe gjithë anëtarëve të klubit”, zbulon Visoka, i cili më pas flet edhe për një “ultimatium”.

“Pas tri ndeshjeve, klubi më dha një ‘ultimatium’ të cilin nuk e pranova dhe pastaj propozova një marrëveshje për ndërprerje të bashkëpunimit. Një ditë pas ndarjes me Ferizajn, erdhi oferta nga Arbëria të cilën e pranova pasi ishte skuadër serioze dhe kishte futbollistë kampionë. Pas shumë ndeshjeve, arritëm rezultate të mira duke zënë vendin e tretë me tri pikë larg kreut. Pastaj ndodhën ato që ndodhën dhe nuk kishim asnjë rrugë tjetër përveç largimit”.

Visoka e quan “fatkeqësi” që ndryshoi tri skuadra brenda edicionit, derisa tregon se është prekur emocionalisht.

“Është shumë e vështirë, as që diskutohet të ndryshosh tri skuadra brenda vitit është një fatkeqësi e madhe që nuk ia dëshiroj askujt. Në fakt, ky është pengu më i madh që kam për këtë kampionat sepse me të vërtetë është një gjë që më ka prekur emoconalisht për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në Ferizaj dhe Arbëri. Për këtë arsye, e kam pasur të vështirë ta pranoj ofertën e Flamurtarit. Por, edhe kontrata afatgjate është ndër arsyet që unë kam pranuar bashkëpunimin me klubin. Ishte e vështirë ta bëjë këtë hap, por mendoj se ishte i duhur për të ardhmen time si trajner pasi këtu ndihem sikur në shtëpinë time”, deklaroi ai.

Largimi i tij i fundit ndodhi nga Arbëria e Dobrajës, derisa Visoka shpjegon rrethanat, por edhe “pengun” e tij.

No photo description available.

“Ndarja me Arbërinë ndodhi shkaku i problemeve organizative-menaxheriale. Presidenti Jahir Krasniqi dhe e gjithë kryesia u largua dhe ne nuk kishin asnjë rrugë tjetër veç rrugës së largimit. Periudha tek Arbëria ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Pengu më i madh tek Arbëria është prishja e një projekti sepse me gjithë ato cilësi që kishim brenda skuadrës dhe harmonia që mbretëronte në atë klub, e them me plotë bindje se në fund Arbëria do të rikthehej në Superligë. Përfundimisht, pas fillimit të keq me Ferizajn dhe Arbërinë treguam cilësitë tona të gjithë stafi e deri te futbollisti i fundit”, thotë trajneri i njohur.

Për fund, ai ka edhe një mesazh për tifozët e Flamurtarit.

“Tifozëve të Flamurtarit ju them që unë dhe stafi im do ta bëjmë maksimumin që Flamurtarit t’i kthejmë lavdim që kishte dikur dhe brenda dy viteve të ardhshme të krijojmë një skuadër që është e aftë të ngritet në Superligë dhe të promojë dy-tre futbollistë të rinjë dhe shumë cilësorë”, përfundoi të enjten për FrontOnline Megzon Visoka.

Ndryshe, Flamurtari i Prishtinës garon në grupin B të Ligës së Parë dhe pas 14 javësh ka tubuar 17 pikë duke u renditur në vendin e shtatë.

You may also like