Trembëdhjetë të vrarë në burgun ekuadorian ku 44 njerëz vdiqën dy muaj më parë (fotot)

by admin
Spread the love

Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe disa kanë mbetur të plagosur në një përleshje masive në një burg të Ekuadorit, në të njëjtin “institucion” ku përplasjet e ngjashme i morën jetën 44 të burgosurve dy muaj më pare.

Agjencia e burgjeve të Ekuadorit tha se në trazirat e fundit masive dje (18 korrik) 13 njerëz humbën jetën dhe dy kanë mbetur të plagosur.

Kjo është ngjarja e dytë tragjike në burgun Bellavista në Santo Domingo ku 44 njerëz u vranë nga përleshjet dhe një zjarr që pasoi, në muajin maj.

Agjencia njoftonte në një deklaratë: “Për fat të keq komanda raporton për 13 të burgosur të vdekur dhe dy të plagosur. Forcat e ushtrisë dhe siguria e burgut janë duke marrë përsëri kontrollin e institucionit.

Burgu famëkeq i qytetit Santo Domingo de los Colorados, është rreth 80 km larg kryeqytetit  Quito.

Në tragjedinë e muajit maj kishte gjithashtu më shumë se 200 të arratisur, pas trazirave.

Ekuadori ka një prej rekordeve më negative për sigurinë në burgje teksa përplasjet mes bandave kanë bërë që 316 të burgosur të kenë humbur jetën në 12 muajt e fundit.

Burgjet ekuadoriane raportohet se janë 12.5% mbi kapacitetin e tyre teksa aktualisht llogaritet një numër total prej 33,900 të burgosurish.

Agjenci të të drejtave të njeriut thonë se përplasjet vijnë nga kushtet e rënda, mungesa dhe korrupsioni i rojeve të burgut, si dhe mangësitë e politikave të qeverisë për sektorin.