Tregu i pajisjeve “wearable”, dërgesat bien me 6.9%

by admin
Spread the love

Tregu i pajisjeve wearable (që vishen) po përballet me një tjetër periudhë të vështirë në tremujorin e dytë 2022, kur dërgesat globale u tkurrën me 6.9% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 107.4 milionë njësi, sipas të dhënave të reja të International Data Corporation (IDC) Worldwide Quarterly Wearable Device Tracker.

Kërkesa është ngadalësuar për shkak të rritjes së inflacionit, frikërave që lidhen me recesionin, rritjen e shpenzimeve në kategori të tjera joteknologjike dhe rritjes së madhe që ka regjistruar tregu i pajisjeve wearable në dy vitet e fundit.

Edhe pse renditja e pesë kompanive të mëdha nuk ka ndryshuar (Apple, Samsung, Xiaomi, Huawei e Imagine Marketing), katër nga pesë të parat regjistruan rënie krahasuar me tremujorin e dytë një vit më parë. Kompanitë më të vogla janë përqendruar te pajisjet me çmim më të ulët, duke ushtruar presion në rënie te çmimet mesatare të shitjes (ASP) për operatorët aktualë.

“Është për të ardhur keq që kompani si Apple, Samsung dhe Google po nxjerrin në treg orë inteligjente (smartwatch) të fashës së lartë, në një moment kur oreksi për produkte me çmim të lartë mbetet në pikëpyetje – deklaroi Jitesh Ubrani, kërkues në IDC Mobility and Consumer Device Trackers. – Edhe pse çmimet e disa pajisjeve të reja nuk kanë ndryshuar krahasuar me modelin e mëparshëm, fuqia e Dollarit Amerikan e bën më të vështirë blerjen në monedhat lokale në gjithë botën”.

Rritja e çmimeve dhe rënia e kërkesës kanë tkurrur perspektivën e përgjithshme për pajisje wearable. Tani IDC parashikon që dërgesat për të gjithë vitin 2022 do të mbeten të pandryshuara në 535,5 milionë njësi.

Megjithatë, rritja do të nisë në vitin 2023, kur parashikohet rikthimi i kërkesës për orë dhe kufje për shkak të blerësve të rinj në tregjet në zhvillim dhe zëvendësimeve në tregjet e maturuara.

/ INC

You may also like