Tre sfida të Superiores në Oversport dhe Tibo, spikat përballja Vllaznia-Teuta

by admin
Spread the love

“Abissnet Superiore” vjen në ekranin e Oversport dhe Tibo me tre sfidat e fundit të këtij viti kalendarik. Në orën 13:00 do të zhvillohen takimet Erzeni-Bylis dhe Kastrioti-Egnatia, ndërsa në orën 15:45 do të luhet ndeshja Vllaznia-Teuta.

Erzeni kërkon të mbyllë në mënyrën më të mirë këtë vit të suksesshëm në Superiore, duke synuar fitoren në sfidën e sotme përballë Bylisit. Shijakasit kërkojnë të harrojnë disfatën që pësuan në Laç dhe kërkojnë të rikthehen te fitorja në ndeshjen e sotme ndaj mallakastriotëve. Bylisi mori një fitore të artë në Rrogozhinë ndeshjen e kaluar dhe sot synon ti japë vazhdimësi atij suksesi, duke kërkuar një tjetër trepikësh përballë shijakasve.

Ardian Mema debutoi me fitore në krye të stolit të Kastriotit (fitoi ndaj Vllaznisë) dhe sot tekniku synon një tjetër sukses në stolin krutan përballë Egnatias. Miqtë kërkojnë të lënë pas krahëve humbjen e papritur ndaj Bylisit, duke synuar një rezultat pozitiv në transfertën e sotme.

Java e 15-të do të mbyllet me supersfidën e “Loro Boriçit” mes Vllaznisë dhe Teutës. Shkodranët po kalojnë një moment jo të mirë (1 pikë në 3 ndeshjet e fundit në kampionat) dhe sot synojnë kthesën e madhe, duke kërkuar një fitore të çmuar që të mos humbasin kontaktin me kreun e renditjes.

Miqtë nga Durrësi kanë rilindur me ardhjen e Martinit në stol dhe në transfertën e sotme në Shkodër synojnë fitoren e tretë radhazi në Superiore, që ti largohen vendit të fundit në klasifikim. Të treja këto sfida mund ti ndiqni live në kanalet Oversport të platformës Tibo. / Oversport.tv

You may also like