Trajneri i Moldavisë, Serghei Clescenco: Shqipëria surpriza e grupit, i përgjigjemi me agresivitet

by admin
Spread the love

Serghei Clescenco, trajneri i Moldavisë ka folur para ndeshjes që ekipi i tij do luajë kundër Shqipërisë. Në stadiumin e kryeqytetit moldav Chisinau, kuqezinjtë do luajnë të premte në orën 18:00 sfidën e parafundit për kualifikueset e Euro 2024, teksa një pikë na dërgon në finalet e “Gjermani 2024”.

Për Clescenco, Shqipëria është surpriza e grupit megjithatë skuadra e tij do bëjë më të mirën, duke mos harruar një vlerësim edhe për Sylvinhon.

“Shqipëria nuk shihej si favorite në grupin tonë. Pozicioni aktual është një surprizë. Kjo falë trajnerit të tyre, i cili pas vetes ka përvojë shumë të madhe. Një nga pikat e forta të tyre, si kjo e jona, është bashkimi si kombëtare. Vura re se në ndeshjet e fundit ata kanë mbajtur një formacion të qëndrueshëm, duke bërë vetëm një ose dy ndryshime. Ata janë një ekip teknik, që do të thotë se janë mësuar të luajnë me topin dhe ta posedojnë atë. Ata janë teknikë dhe të shpejtë. Kjo është ajo që ne do t’i kushtojmë vëmendje”, tha fillimisht trajneri moldav.

Më pas Clescenco foli edhe për strategjinë që do përdor për të ndalur Shqipërinë, që udhëton si kryesuese e grupit.

“Strategjia jonë mbetet konstante, pavarësisht ndeshjes. Ne mbështetemi në guximin për të përballuar çdo sfidë, agresivitet në sulm dhe besim në aftësitë tona mbrojtëse. Ky është thelbi i filozofisë sonë në ndeshje. Kemi vetëm 2-3 ditë për përgatitje, por fokusohemi që të analizojmë me kujdes çdo kundërshtar, në mënyrë që secili lojtar të kuptojë se kush është përballë në fushë dhe të përshtatet sipas pikave të forta me agresivitet”, tha Clescenco. Ndeshja e parë në “Air Albania” mes Shqipërisë dhe Moldavisë përfundoi me fitoren 2-0 të tanëve, me gola të Asanit dhe Bajramit.

Në grupin E kualifikues, Shqipëria me 13 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Çekia me 11-të, Polonia me 10-të, Moldavia me 9-të dhe Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

You may also like