Toyota dëshiron të ‘rinovojë’ makinat e përdorura dhe t’i bëjë ato si të reja –

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Toyota UK është në fazat fillestare të një programi sipas të cilit makinat mund të rifabrikohen dy herë pas prodhimit.

Pajisjet e rinovuara nuk janë ndonjë gjë e re, por ideja e rifabrikimit të një makine për ta bërë atë si të re, padyshim që është një risi. Ky është një propozim interesant për të zgjatur ciklin e jetës së një makine. Toyota UK mendon se kjo mund të jetë një mënyrë për të rritur ciklin e jetës së një automjeti për klientët e saj.

Për herë të parë, ky program u raportua në shtyp nga Autocar të disa ditë më parë. Agustin Martin, president i Toyota dhe menaxher përgjegjës për Britaninë e Madhe, tha se ky proces do të formojë shtyllën kurrizore të një marke të re të automjeve, të quajtur Kinto.

Sipas Martin-it, e gjithë ideja është që një makinë, pasi të kalojë ciklin e parë të përdorimit, të kthehet në fabrikë, ku ajo do të rifabrikohet sipas “standardeve më të mira” dhe do të bëhet gati për një cikël të dytë përdorimi. Toyota mund ta kryejë këtë proces edhe një herë tjetër, përpara se të vijojë me riciklimin e makinës. Kjo mund të përfshijë ripërdorimin e pjesëve të automjetit që janë ende në gjendje të mirë, riprodhimin e baterive dhe shumë më tepër.

Toyota USA tha për Roadshow se ky program është ende në fazat fillestare në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishte detaje të tjera për të ndarë me publikun. Një zëdhënës i kompanisë refuzoi gjithashtu të komentonte mbi mundësinë e aplikimit të një programi të tillë rinovimi edhe në SHBA.

Përveҫse për kompanitë e automjeteve, ideja e ofrimit të makinave të rifabrikuara për shitje ose me qira mund të ngjallë shumë interes edhe për blerësit e makinave. Në një kohë kur çmimet e makinave të reja dhe të përdorura po rriten ndjeshëm, ofrimi i makinave të rifabrikuara mund të ishte një ide më e pëlqyer për të gjitha palët. Kjo do të krijonte edhe një formë të re për rritjen e të ardhurave dhe të numrit të klientëve për Toyota-n.

Tani për tani, ky program mendohet të realizohet në fabrikën e Toyota-s në Burnaston, e cila prodhon automjetet “Corolla Hatchback” dhe “Corolla Station Wagon”. Ndoshta, nëse plani shkon mirë, mund të fillojnë të aplikohen skema të ngjashme në shumë fabrika të tjera në mbarë globin. / CNET


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor.

You may also like