Themeluesja e PSD-së i reagon ashpër Dardan Molliqajt: Po vepron si autokrat brenda partisë

by admin
Spread the love

Partia Socialdemokrate e Kosovës e ka bërë të ditur që moti se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të sivjetme.

Megjithatë ky vendim, që doli nga strukturat e kësaj partie, nuk po e përkrahet nga vetë themeluesja e saj, Kaqusha Jashari.

Sipas saj, PSD-ja do të duhej të garonte më 17 tetor, pavarësisht rezultatit që do të korrte.

“Ne që kemi qenë aty që 20 a 30 vjet, gjithmonë kemi dalë në zgjedhje. Kjo ani se kemi qenë të vetëdijshëm se jemi të dobët. Këtë herë nuk më ka pëlqy që nuk kemi dalë në zgjedhje. Kemi pasë njerëz shumë të fortë aty si Qëndron Kastrati, i cili tash po kandidon si i pavarur për Kamenicën”, theksoi Jashari për “Front Online”.

Jashari, që figuron ende si anëtare e kryesisë së PSD-së, e ka akuzuar kryetarin Dardan Molliqaj se po vepron krye në vete brenda partisë.

“Partia nuk mundet me vepru me tre vetë sikurse Dardani po vepron. Dardani po kritikon tjerët që po veprojnë si autokrat, por po vepron vetë ashtu brenda partisë”, deklaroi Jashari.

Ish-themeluesja i ka cilësuar si të drejta qëndrimet e PSD-së karshi disa temave nacionale, por jo edhe veprimet e anëtarëve të saj.

“I kanë disa gjëra të drejta në vlerësim, por mënyra e acarueshme e veprimit nuk është interesante. Nuk duhet të veprojmë kundër Policisë tonë. Veprimet e tyre janë të ngjashme me ato të Vetëvendosjes”, vlerësoi Jashari.

Në vitin 2018 drejtimin e Partisë Socialdemokrate (PSD) e pati marrë një grup prej 12 deputetësh, të cilët u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryetar ishte zgjedhur Shpend Ahmeti.

Ky i fundit kishte dhënë dorëheqje nga ky post një vit më vonë, më 2019, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet nacionale të PSD-së, ku asnjëri prej kandidatëve të saj për deputet nuk arriti të fitojë ulëse në Kuvend, teksa garuan në një listë të përbashkët zgjedhore me ata të AAK-së.

Vendin e tij e zuri Dardan Molliqaj, që u emërua në krye të partisë po atë vit me 83% të votave të anëtarëve.

Partia Socialdemokrate e Kosovës është themeluar më 10 shkurt 1990.

You may also like