”The Guardian”: Rama: BM të mësojë nga Gjermania se si të përballet me valët migratore

by admin
Spread the love

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ – Shkoni në Gjermani dhe mësoni është kritika që kryeministri shqiptar, Edi Rama i bën qëndrimit të Britanisë së Madhe për emigracionin, shkruan Rajeev Syal për gazetën e njohur britanike ”The Guardian”.

Edi Rama tha në një konferencën për shtyp në Berlin se retorika e Londrës tingëllon si ”ulërima nga një çmendinë”.

”Qeveria e Britanisë së Madhe duhet të shikojë nga Gjermania për të mësuar se si të përballet me një valë emigrantësh”, tha kryeministri shqiptar, teksa kritikoi përshkrimin e bashkatdhetarëve të tij si kriminelë.

”Nuk kam dëgjuar kurrë asnjë politikan apo ministër të qeverisë gjermane të flasë për një ‘pushtim’ dhe nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë ministër apo ministër të Brendshëm këtu të flasë për kriminelë”, tha Edi Rama në një konferencë për shtyp që shënoi fundin e një samiti në Berlin.

”Në vend që të nxisin narrativën e çmendur të pushtuesve dhe gangsterëve për të mbuluar politikat totalisht të dështuara për kufijtë dhe krimin, përfaqësuesit britanikë duhet të vijnë në Gjermani dhe të mësojnë shpejt”, theksoi ai.

”Të veçosh një komunitet dhe të flasësh për gangsterë dhe për kriminelë nuk tingëllon shumë britanike, tingëllon më shumë si britma nga një çmendinë”, tha Rama.

Ndërhyrja e tij pason një sërë komentesh nga ministrat dhe zyrtarët britanikë, që pretendojnë se ishin shqiptarët ata që qëndronin pas një stuhie të fundit të mbërritjeve me varka të vogla përgjatë La Manshit dhe se shumë prej tyre ishin të përfshirë ose viktima të krimit të organizuar.

Megjithatë, Tirana ka shprehur zhgënjimin për dështimin e qeverisë britanike për të zbatuar një marrëveshje për dëbimet e shpejta të shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht nëpërmjet një vendi të tretë të sigurt. Mungesa e progresit në marrëveshje është në kontrast me marrëveshje të ngjashme që Shqipëria ka nënshkruar me Francën dhe Gjermaninë.

Ndërkohë, planet e Suela Braverman për të krijuar më shumë marrëveshje të stilit të Ruandës me vende të tjera, morën një goditje dje pasi qeveritë e tre vendeve të Amerikës Jugore dhe Qendrore mohuan raportet se kishin qenë në bisedime me BM-në.

Megjithëse zëdhënësi i kryeministrit refuzoi të përjashtonte dërgimin e azilkërkuesve në Paraguaj, Belize dhe Peru, të treja qeveritë vunë në dyshim nëse një marrëveshje e tillë do të ishte brenda ligjit ndërkombëtar.

Mohimet pasojnë një raport në ”Daily Express” që pretendonte se Braverman ishte në bisedime të avancuara me Paraguajin ndërsa Peruja dhe Belize ishin “ndoshta në linjë” për marrëveshje.

Ambasada e Paraguajit në Londër tha se ”nuk ka pasur asnjëherë bisedime në lidhje me këtë temë” duke shtuar se ”nuk ka asnjë marrëveshje nga qeveria e Paraguajit me BM-në për të pritur emigrantët”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Belizes, Eamon Courtenay, mohoi raportet se vendi i tij po punonte me BM-në për të pranuar emigrantë duke thënë se plane të tilla do të ishin “çnjerëzore”.

”Belize nuk është në negociata me BM-në apo ndonjë vend tjetër për të pranuar emigrantë. Ne nuk do të pranojmë emigrantët e eksportuar. Kjo është çnjerëzore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, shkroi ai në Twitter.

Një zëdhënës i ambasadës peruane tha se pretendimi ishte “i pabazuar”.

”Peruja rinovon angazhimin e saj ndaj traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe respektin për emigrantët”, shtoi zëdhënësi./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like