Telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale po e shkatërrojnë shëndetin mendor të fëmijëve – Shqip

by admin
Spread the love

Nga John BurnMurdoch

Diçka po shkon shumë keq me adoleshentët sot. Gjatë viteve 1994-2010, pjesa e adoleshentëve britanikë që nuk e konsideronin të pëlqyeshëm veten e tyre ra disi, nga 6 në 4 për qind. Ndërkohë që nga viti 2010 e këtej kjo përqindje është dyfishuar.

Ndjeshëm u rrit edhe shkalla e atyre që e mendojnë veten si njerëz të dështuar, që shqetësohen shumë, dhe që janë të pakënaqur me jetën e tyre. Të njëjtat tendenca janë të dukshme edhe përtej Atlantikut. Numri i nxënësve të shkollave të mesme në SHBA, të cilët thonë se jeta u duket shpeshherë e pakuptimtë është rritur gjatë 12 viteve të fundit. Dhe kjo dukuri nuk ka prekur vetëm anglosferën.

Në Francë, normat e depresionit tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeç janë 4-fishuar gjatë dekadëssë fundit. Pra kudo që të shihni, shëndeti mendor i të rinjve po degradon frikshëm, dhe momenti kur kurba pëson një rritje të jashtëzakonshme është i njëjtë:viti 2010, kur telefonat inteligjentë kaluan nga një produkt luksoz, në një mjet që mund të zotërohej nga gati kushdo.

Teoria se pasja e mediave sociale dhe kënaqësive të tjera dixhitale gjatë gjithë kohës mund të ketë një efekt të dëmshëm mbi shëndetin mendor të njerëzve nuk është e re. Mbështetësi i saj kryesor është Zhan Tuenge, profesor i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të San Diegos, autor i dhjetëra studimeve mbi këtë çështje.

Por teza e tij është ende larg pranimit universal nga kolegët. Kërkimet e Tuenge dhe kolegut të tij Xhonathan Haid, është kritikuar ndonjëherë për shfrytëzimin e valës së kundërshtimit popullor ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë. Megjithatë, ndërsa po shtohen provat për argumentet e tyre, tani shumë njerëz po pyesin se përse na është dashur kaq shumë kohë për të pranuar atë që ishte përpara syve tanë.

Shenjat janë kudo. Së pari, komunikimi dhe shoqërimi në formën dixhitale, i ka zëvendësuar në masë kontaktet fizike. Përqindja e adoleshentëve amerikanë që takohen personalisht me miqtë më pak se një herë në muaj ishte 3 për qind midis viteve 1990 dhe vitit 2010.

Por ajo mbërriti në 10 për qind në vitin 2019, ndërkohë që pjesa e atyre që thonë se janë “vazhdimisht online”  ka arritur tani 46 për qind. Disa e kundërshtojnë pretendimin se aplikacionet po e zëvendësojnë jetën reale. Tek e fundit, njerëzit që janë më të ngarkuar Instagram, janë shpesh më të zënë edhe në botën reale.

Por këtij argumenti i mungon një dinamikë kryesore:këto tendenca veprojnë në nivel brezash dhe jo individual. Ndërsa është shtuar koha e qëndrimit para ekraneve dixhitalë, të gjithë rrinë më pak me njëri-tjetrin fizikisht. Por e habitshme është edhe dinamika në nivel individual.

Studimet tregojnë se sa më shumë kohë që kalojnë adoleshentët në rrjetet sociale, aq më i dobët është shëndeti i tyre mendor. Problemi është më i theksuar për vajzat, të cilat kalojnë gjithashtu shumë më tepër kohë në mediat sociale sesa djemtë, duke shpjeguar edhe përkeqësimin më të madh të shëndetit mendor të vajzave sesa djemve.

Të dhënat tregojnë se vajzat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj mediave sociale, me një kohë më të gjatë kaluar para ekranit që lidhet me ndikime psikologjike negative, përfshirë vetëdëmtimin. Është një histori e ngjashme me normat më të larta të depresionit tek adoleshentët liberalë sesa ata konservatorë. Në rast se dyshoni se fëmijët liberalë janë më në depresion për shkak të rritjes në një kulturë që vlerëson shqetësimin për padrejtësitë, unë do t’ju këshilloja të bëni shumë kujdes.

Së pari, hulumtimi i Tuenge tregon një shpjegim më të mundshëm:të rinjtë liberalë kalojnë më shumë kohë në internet sesa konservatorët. Së dyti, ne shohim të njëjtin prirje në rritje midis konservatorëve. Disa thonë se sot shoqëria është më e hapur për diskutimin e shëndetit mendor, ndaj ajo që po shohim është vetëm një rritje në raportim dhe jo prevalencë.

Por adoleshentët britanikë që kalojnë 5 ose më shumë orë në ditë në mediat sociale janë 2-3 më të rrezikuar nga vetëdëmtimi sesa bashkëmoshatarët e tyre që kalojnë më pak orë në internet. Një histori e ngjashme është në SHBA me idetë vetëvrasëse të rinjve.

Të tjerë theksojnë se korrelacioni nuk është një shkakësi. Kjo është e vërtetë, por tani kemi një numër në rritje kërkimesh që tregojnë se reduktimi i kohës në mediat sociale e përmirëson shëndetin mendor. Atëherë çfarë mund të bëjmë? Përgjigja më e zakonshme është “edukimi i fëmijëve dhe prindërve”.

Por siç e tregojnë rastet e obezitetit dhe të pirjes së duhanit, fushatat e informimit publik janë dukshëm joefektive përballë varësisë nga bota virtuale. Një alternativë tjetër do të ishte ndërtimi i një fushate mbi provat, sipas të cilave kur njerëzit inkurajohen të kenë një shkëputje të gjatë nga mediat sociale, disa prej tyre shkëputen përgjithmonë.

Dhe pastaj janë rregulloret. Pse të mos rritet kufiri i moshës mbi aplikacionet e rrjeteve sociale dhe të ndëshkohen kompanitë që nuk i zbatojnë ato? Gjithsesi unë nuk jam shumë optimist. Lufta kundër obezitetit ka qenë kaq e vështirë, pikërisht sepse nuk mund t’i ndalosh dot njerëzit të hanë ushqim.

Ndërsa lufta ndaj varësisë nga mediat sociale është e vështirë, sepse nuk mund t‘i ndalosh njerëzit të përdorin telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e tyre. Derisa dikush të shpikë ekuivalentin e një ilaçi për rënie në peshe për Instagram, e ardhmja duket e zymtë. / Financial Times” – Bota.al

You may also like