TEL AVIV, 2 tetor /ATSH-AA/ – Qeveria izraelite e ka shpallur “persona non grata” dhe i ka ndaluar hyrjen në vend sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i cili ka bërë thirrje për ulje urgjente të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Jashtme izraelite, thuhet se ministri i Jashtëm Yisrael Katz e ka shpallur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres “persona non grata”.
Në deklaratë thuhet se ”Guterresit i është ndaluar hyrja në vend” dhe se ”vendimi është marrë për shkak të deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pas sulmit raketor të Iranit dje”.
”Në deklaratën e tij të djeshme, shefi i OKB-së nuk përmendi emrin e Iranit në lidhje me raketat e lëshuara dhe nuk dënoi drejtpërdrejt sulmin e Teheranit”, tha ministria.
Sipas ministrisë, Katz e ka akuzuar Guterresin si antiizraelit, duke shtuar se “kushdo që nuk mund të dënojë hapur sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç bëjnë pothuajse të gjitha vendet në botë, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite”.
Në deklaratën e tij pas sulmit të djeshëm të Iranit ndaj Izraelit, Guterres dënoi zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm./ /os/