TEL AVIV, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Izraeli ka mirëpritur hetimin e planifikuar për pretendimet se anëtarët e Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) kanë qenë të përfshirë në vrasjet Hamasit më 7 tetor.
“Ngritja e një grupi të pavarur shqyrtimi për të vlerësuar neutralitetin e UNRWA-s pas publikimit të informacionit që tregon pjesëmarrjen e punonjësve të agjencisë në aktivitete terroriste është një hap pozitiv, megjithëse është shumë i vonuar”, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite.
“Megjithatë, grupi i hetimit duhet të përfshijë institute kërkimore me përvojë profesionale përkatëse që përfshin procedurat kundër terrorizmit, sigurisë dhe verifikimit”, tha ai në X, platforma e njohur më parë si Twitter.
“Izraeli pret që grupi të përfshijë donatorë të mëdhenj të agjencisë si dhe ekspertë izraelitë”, shtoi ai.
“OKB-ja tha se ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna do të drejtojë një grup të pavarur ekspertësh për të shqyrtuar akuzat kundër UNRWA”, tha OKB-ja të hënën.
Izraeli ka akuzuar disa punonjës të UNRWA-s për përfshirje në sulmet terroriste të 7 tetorit të udhëhequr nga grupi militant palestinez Hamas.
Disa donatorë të mëdhenj perëndimorë të UNRWA-s, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë, pezulluan përkohësisht pagesat për agjencinë e ndihmës në Gaza pas akuzave.
Grupi i Colonna do të fillojë punën më 14 shkurt, ndërsa një raport i përkohshëm pritet të dalë para fundit të marsit.
Paneli i ekspertëve pritet të shqyrtojë nëse UNRWA ka shkelur masat që synojnë ruajtjen e neutralitetit të grupit në Rripin e Gazës, të cilin Hamasi e ka sunduar që nga viti 2007.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres premtoi sqarime gjithëpërfshirëse. Disa punonjës tashmë janë pushuar nga puna. //a.i/