TEL AVIV – Blinken: Përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim krijon hapësira për marrëveshje

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

TEL AVIV, 8 shkurt /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim dhe marrëveshje pengjesh kishte disa të meta të qarta, por se krijon hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje.

“Megjithëse në përgjigjen e Hamasit ka të meta të qarta, ne mendojmë se kjo lë hapësirë ​​për arritjen e një marrëveshjeje. Do të punojmë pa pushim derisa të arrijmë atë”, u tha Blinken gazetarëve gjatë një konference për media në Tel Aviv.

Komentet e sekretarit amerikan erdhën menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkesat e Hamasit për marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushim i quajti “zhgënjyese” dhe u zotua se do të vazhdojë ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës deri në arritjen e fitores kundër grupit palestinez me bazë në Gaza.

Më herët të martën, Hamasi deklaroi se përgjigjen e tyre ia kishin përcjell Egjiptit dhe Katarit në lidhje me “marrëveshjen kornizë” lidhur me propozimin e shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushim në Rripin e Gazës.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani tha të martën se Doha kishte marrë përgjigjen e Hamasit për marrëveshjen, duke shtuar se ajo ishte “në përgjithësi pozitive”.

Hamasi besohet se mban rreth 136 izraelitë.

Izraeli ka nisur ofensivë të egër në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë të paktën 27.708 palestinezë dhe duke plagosur rreth 67.170 të tjerë, ndërsa nga pala izraelite, Tel Avivi pretendon se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like