Teherani, “lutje” Erdoganit për Sirinë – Shqip

by admin
Spread the love

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei i tha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan që të mos nisë një operacion të ri ushtarak në Siri, përpara mbërritjes së presidentit rus Vladimir Putin në Teheran për një samit trepalësh.

Një operacion i ri ushtarak do të ishte “i dëmshëm për Sirinë, Turqinë dhe rajonin”, tha Khamenei, siç raportohet nga portali i tij në internet të martën.

Më tej thuhet se Khamenei ka dashur të bindë Erdoganin se Irani e konsideron sigurinë e kufijve të Turqisë po aq të rëndësishme sa edhe sigurinë e kufijve të vet dhe ka thënë se problemet në Siri duhet të zgjidhen me dialog.

Komentet pasuan deklaratat e Erdoganit në muajt e fundit se ai së shpejti do të nisë një ofensivë ushtarake në të paktën dy qytete në veri të Sirisë për të krijuar një “zonë të sigurt” 30 kilometra duke mposhtur luftëtarët kurdë në rajon, të cilët Turqia i konsideron “terroristë”.

Në luftën siriane, Irani dhe Turqia mbështesin palët kundërshtare: Teherani është në anën e qeverisë siriane dhe Ankaraja është me opozitën, por ata arritën një marrëveshje që uli intensitetin e konfliktit. Të dy vendet kanë forcuar pozicionet e tyre në Siri.

Presidenti turk mbërriti në Teheran të hënën vonë me një delegacion të madh. Të martën ai u takua me kolegun e tij iranian Ebrahim Raisi, ku pas disa takimeve u nënshkruan tetë marrëveshje. /tesheshi.com/

You may also like