TEHERAN, 5 nëntor /ATSH-DPA/-Irani pranoi sot se ka furnizuar me dronë Rusinë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian deklaroi se Republika Islamike i kishte ofruar Moskës një numër të kufizuar dronësh para luftës në Ukrainë.
Megjithatë, kryediplomati i vendit mohoi dërgimin e armëve të tjera që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, ndersa shtoi se as Teherani nuk kishte furnizuar raketa që atëherë.
Kohët e fundit, Kievi dhe qeveria amerikane kritikuan përdorimin e dronëve “kamikaze” nga Irani në luftën kundër Ukrainës. Teherani thuhet se ka dërguar personel ushtarak në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të trajnuar rusët se si të përdorin dronët dhe për të ofruar ndihmë teknike. Deri më tani, Teherani i kishte mohuar dërgesat ushtarake.
Një javë më parë, Amirabdollahian tha se ishte i gatshëm të zhvillonte takime dypalëshe me Ukrainën për të diskutuar akuzat për përdorimin e droneve iranianë nga Rusia në luftën në Ukrainë.
Ushtria ukrainase tha se deri më tani, ka rrëzuar qindra dronë kamikaze Shahed-136 të prodhuar nga Irani. Rusia besohet se ka porositur 2400 dronë të tillë.
Irani ruan marrëdhënie të mira me Rusinë. Për të kundërshtuar sanksionet perëndimore, Teherani po kërkon bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak nga Kina dhe Rusia, në veçanti.