Aleanca për Shqiptarët (ASH) do të jetë pjesë e Qeverisë, kështu mbrëmë vendosi organi më i lartë i partisë, por edhe kryesia qendrore e LSDM-së dha dritën jeshile për hyrjen e saj në koalicionin qeveritar.
“Seanca e Kuvendit për votimin e rikonstruimit të Qeverisë, pritet të caktohet për ditën e hënë, nëse gjatë ditës kryeministri Dimitar Kovaçevski ua dorëzon deputetëve propozimin për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar”, theksoi kryeparlamentari Talat Xhaferi.
ASH në Qeverinë e re do ti takoj Ministria e Shëndetësisë, Drejtësisë, Ministria e Shoqërisë së Informacionit apo Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike. Po ashtu do ti takojnë edhe dy poste zëvendësministrore, në mbrojtje dhe bujqësi, përpos kësaj edhe dy sekretarë shtetërorë.
Ndër drejtoritë që do të merrte Aleanca për Shqiptarët janë në “Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, MEPSO, Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, si dhe zëvendësdrejtorë në Drejtorinë doganore, Administrata e të Ardhurave Publike (DHP) dhe ESM.
Taravari për sot ka paralajmëruar takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, në të cilin, siç tha, do t’i shpallë emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të ardhshëm nga radhët e kësaj partie.
Lidhur me Alternativën dhe largimin apo qëndrimin e saj të mundshëm në Qeveri, Kovaçevski tha se dëshirojnë që partia të mbetet pjesë e shumicës parlamentare dhe qeveritare, duke theksuar se duke pasur parasysh se po diskutohet për hyrjen e një partneri të ri në koalicionin qeveritar, që nënkupton rritje të mazhorancës dhe rregullim të ri të mandateve parlamentare, mazhoranca ekzistuese do të duhet të bëjë disa rregullime që të mund ta realizojë atë ide. Ndërkohë jozyrtarisht merret vesh që Alternativa pret që të largohet nga Qeveria, pasi që të zyrtarizohet marrëveshja e koalicionit LSDM-ASH.