Të dashur qytetarë të Republikës, mos bini pre e propagandës nga Serbia – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dështimit për të arritur marrëveshje në takimin trilateral në Bruksel mes BE-së, Kosovës dhe Serbisë.

Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të qetë dhe të mos bien pre e informatVe të pasakta.

Ai po ashtu ka thënë se populli i Kosovës nuk u ka shkaktuar të tjerëve padrejtësi, e as nuk i ka mbështetur ato ndaj popujve të tjerë.

Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme.

Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri.

Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.

Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta.

Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot.

Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë!

Lexo lajme interesante

You may also like