TALIN – Estonia pezullon tranzitin e produkteve të naftës nga Bjellorusia

by admin
Spread the love

RIGË, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Qeveria e Estonisë ka vendosur të pezullojë tranzitin e produkteve të naftës nga Bjellorusia përmes Estonisë.

Përmes këtij vendimi, Estonia zgjeroi sanksionet e saj kombëtare ndaj Bjellorusisë, në mënyrë të pavarur nga Bashkimi Evropian.

Ndalimi synon vajrat minerale të posaçëm që nuk mbulohen nga regjimi i sanksioneve të BE-së dhe tranziti i të cilave përmes Estonisë ka vazhduar të jetë i mundur deri më tani.

Një hetim i përbashkët nga disa media rajonale zbuloi se dërgesat e produkteve të veçanta të naftës nëpërmjet Estonisë ishin rritur në një nivel rekord në vitin 2021. Vëllimi i tregtisë është pothuajse trefishuar, duke arritur një vlerë prej mbi gjysmë miliardë dollarësh.

“Ne nuk mund të lejojmë asnjë boshllëk apo mospërputhje, veçanërisht në situatën aktuale të sigurisë. Efektiviteti i sanksioneve ndaj regjimit të Lukashenkos, si dhe besueshmëria dhe ndikimi ynë ndërkombëtar, varen prej tij”, tha kryeministrja Kaja Kallas.

Sipas ministres së Jashtme Eva-Maria Liimets, Estonia do të koordinojë aktivitetet e saj me Letoninë, Lituaninë dhe BE-në.

“Ne gjithashtu duhet të sigurojmë në nivelin e vendeve baltike dhe të Bashkimit Evropian që sanksionet ekzistuese të jenë të përshtatshme në çdo kohë dhe të funksionojnë me një qëllim të dobishëm”, tha ajo.

Për shkak të represionit të vazhdueshëm të lëvizjes së demokracisë në Bjellorusi, BE-ja tashmë ka miratuar disa paketa sanksionesh që synojnë Alexander Lukashenko dhe mbështetësit e tij.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like