Takimi Blinken – Begaj: Partneriteti ynë strategjik, më i fortë se kurrë

by admin
Spread the love

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken ku diskutuan rëndësinë e marrëdhënieve strategjike dypalëshe, zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s.

Presidenti Begaj e cilësoi vizitën e diplomatit të lartë amerikan shumë të rëndësishme, ndërsa theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve ishte më i fortë se kurrë.

“Jam mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë, për Kosovën dhe rajonin. Dhe natyrisht, për demokracinë shqiptare, për shtetin e së drejtës, për reformën në drejtësi, për mbrojtjen e sigurinë, dhe sigurisht për ekonominë dhe arsimin. Ju siguroj se Shqipëria është e përkushtuar të jetë gjithmonë me ju, dhe një kontribuese për sigurinë rajonale dhe globale”, tha Begaj.

“Ky është një mesazh i fortë që ju po mbështesni Shqipërinë, politikën e jashtme shqiptare dhe sigurisht të ardhmen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

“Këtë vizitë, e shoh si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë dhe partneritetin tonë”, tha presidenti i Republikës, Begaj.

“Këtë e shohim çdo ditë. Ky është një partneritet dhe ne jemi mirënjohës për të. Ne e dimë se sfidat që ka secili prej nesh, mund t’i përballojmë në mënyrë më efektive së bashku, jo vetëm”, tha Blinken gjatë takimit.

“Dhe për të pasur miqësinë, partneritetin kanë qenë 101 vjet marrëdhënie diplomatike, por vitet e fundit veçanërisht ne kemi parë forcën e partneritetit në shumë fusha të ndryshme. Kështu që është një kënaqësi e madhe”, tha sekretari amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti sot në Shqipëri për një vizitë njëditore. Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi takime me krerët e shtetit.

Vizita e diplomatit amerikan u cilësua nga ekspertët e diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.//a.i/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like