Syla, Krajës: Shpifjet dhe akuzat tua janë të pafalshme, të dënueshme dhe antikombëtare

by admin
Spread the love

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ka reaguar ndaj shkrimit të akademik Mehmet Krajës, shkrim ky i cili është publikuar në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai i është drejtuar Krajës duke i thënë se ka hedhur baltë mbi vlerën tonë kombëtare.

“As që kisha ndonjë dëshirë të merrem me ty e shkrimin qe ke publikuar në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por unë jam i tillë që nuk bëhem rehat, në qoftë se nuk i them gjërat ashtu siç i ndijë në shpirt. E pra, more akademik Mehmet Kraja, shumë gjëra mund t’i kem menduar, por, që ti të dalësh me vlerësime dhe akuza të tilla shpifëse tamam si të ishin gatuar në gazhinën e Beogradit, këtë kurrë nuk e kisha menduar”.

Syla ka thënë se këto shpife dhe akuza janë siç u shpreh ai të pafalshme, të dënueshme, antikombëtare dhe kundër vlerave të shqiptarëve.

“Veç po të them: Ti hodhe baltë mbi vlerën tonë kombëtare dhe të jesh i sigurt ti, të jenë të sigurt ata që mendojnë si ti (nëse ka), të jenë të sigurt edhe armiqtë, por të jenë të sigurt edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që ne me luftën tonë e kemi bërë shumë mirë detyrën atdheut e kombit, për të cilën jemi krenar se i kemi vënë një kurorë lavdie historisë kombëtare shqiptare. Ama po të them se shpifjet dhe akuzat tua janë të pafalshme, janë të dënueshme, janë antikombëtare dhe kundër vlerave të shqiptarëve”.

“Po pse o akademik Mehmet Kraja, a nuk e ke kuptuar akoma se ajo luftë e lavdishme u bë nga ky popull i Kosovës dhe gjithë shqiptarët për të rritur vlerat e fituar lirinë? Pse o akademik Mehmet Kraja, a nuk e ke kuptuar akoma se ata luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk qenë të importuar, siç na kanë akuzuar Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj, por qenë bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli të lavdishëm shqiptarë të këtyre trevave të Kosovës e gjithë hapësirave kombëtare shqiptare?”, është shprehur ai.

Ai e ka pyetur Krajën se pse ka arritur deri në atë pikë sa ta shfrytëzojë sipas tij emrin e ASHAK-ut, siç u shpreh ai, për të dhënë goditje kundër luftës.

“Pse o akademik Mehmet Kraja arrite deri atje sa të shfrytëzosh emrin e institucionit më të lartë shkencor të Kosovës – Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – për të dhënë goditje kundër luftës dhe luftëtarëve? Çfarë zori të shtyu bre akademik? A ke diçka të ligë personale apo ke marrë mision prej dikujt, që i shërben ndoshta me apo pa interes, por realisht me ligësi? Pse o akademik Mehmet Kraja nuk e vlerësove se pavarësisht çka, shqiptari pak i ndershëm nuk e bën e zhbën a bën e maskon fjalën e tij, dhe gjithë kjo në emër të ajkës së dijes së Kosovës, siç veprove ti, duke bërë maskim të ulëta me arsyetime të pa pranueshme? Se ndryshime nuk bëre”.

“Pse o akademik Mehmet Kraja dole në këtë pozicion antikombëtar? A mendon se është e rastit, apo kështu ke qenë i ndërtuar mbrapsht por tani të doli fytyra e vërtetë, apo ndonjë interes i ligë? Uroj të mos jetë aq i ligë sa të vijë nga Beogradi, por që i shërbeve më mirë dhe më fortë se askush tjetër kësaj radhe kjo po është shumë e qartë”, ka shkruar Kraja.

Gjithashtu, Syla e ka pyetur Krajën edhe se si i ka marrëdhëniet me akademikët e tjerë, përcjell Klankosova.tv.

“O akademik Mehmet kraja, si i keni marrëdhëniet me akademikët e tjerë? A e dëgjove qëndrimin e akademik Sabri Hamitit? A mendon se nuk do të shkojnë edhe të tjerë në atë qëndrim? Gabohesh o akademik Mehmet Kraja, që mendon se akoma je e mund të jesh koka e asaj akademie. Sepse të jesh në karrigen e kryetarit nuk do të thotë të jesh kryetar. Pasi kryetar je edhe duke mos qenë në atë karrige ku jeni ulë ju por të tjerët akademikë të përulen me nderim për dijen që ke. Ndërsa ti ku je sot? A je kryetar? Nuk besoj, veç i ndonjë të pa merituari, që ti vetë më herët ke thënë se janë të pa merituar, i cili mund të të përkëdhelë krahët. Sa keq për ty o akademik”.

“Po pse o akademik Mehmet Kraja pa përgjegjësi del dhe deklaron se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit? A e njeh ti rrjedhën e asaj lufte dhe atë ushtri që bëri luftën. Po ti u ktheve në shtëpinë tënde veç kur ata luftëtarë e çliruan Kosovën bre? Ku i pe ti ato krime, a nëpër Evropë ku ishe në ato kohë? Çudi more zotëri me ty. Unë kurrë nuk kam menduar se mundesh ti pa as më të voglin informacion t’i ngarkosh vetes atë barrë aq të madhe sa të përpiqesh të shfajësosh krimet serbe duke e kriminalizuar luftën e shenjtë të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Mision i rendë ky i yti zotëri. Por punë të tilla si kjo puna që bëre ti, deri tani kanë bërë vetëm shërbimet antishqiptare. Ndërsa për ty dua të them se duhet të kesh ndonjë interes të madh ose ke marrë ndonjë urdhër të rëndë”.

“O akademik Mehmet Kraja, a e dinë se një ditë Hashim Thaçi do të kthehet me pafajësi nga Gjyqi i Hagës, po ti ku do t’i fusësh ato fjalë që ke thënë për të? Sepse ai e ka kryer detyrën ndaj atdheut me armë në dorë kur ti nuk di ku ishe. Ashtu sikurse edhe atje ku është ka shkuar për të mbrojtur me bindje pastërtinë e asaj lufte. Ndërsa ti përpiqesh ta trajtosh Hashim Thaçin si të ishte ndonjë hajn, që përpiqet të fshihet nga e vërteta e hajnisë të tij. Jo o akademik Mehmet Kraja, ai dhe të gjithë luftëtarët bashkë me mua, që kur ka ngritur dorën për ta miratuar atë ligj të kësaj gjykate e ka ditur se do të jetë atje për ta mbrojtur pastërtinë e kësaj lufte, siç e kanë ditur të gjithë ata që e kanë votuar atë ligj. Luftëtarët o akademik Mehmet Kraja nuk janë prej atij malli që fshihen as që e merr era, siç merr qëndrimet tua”, shkroi ai.

Tutje, ai e ka përfunduar shkrimin duke iu drejtuar Krajës se Serbia nuk kthehet më.

“Po Ali Ahmeti o akademik Mehmet Kraja çfarë borxhi të ka? A edhe ai po të bën hije, pse po udhëheq shumë shumë mirë politikën shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut? A kaq dhimbje ke nga sukseset që kanë arritur shqiptarët në të drejtën e tyre në atë shtet?Si nuk i more në mbrojtje as edhe me një fjalë shqiptarët në Kosovën Lindore bre akademik Mehmet Kraja? Veç se u the që kurrë nuk do të jenë pjesë e Kosovës, a për t’i moralizuar ua the këtë, që të mundësosh të ikin nga sytë këmbët? Jo zotëri, gabohesh përsëri, koha e ikjes së shqiptarëve dhe e shpërnguljeve të tyre ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Kosova Lindore do të jetë Kosovë Lindore sot e përgjithmonë. Mos e harro këtë akademik”.

“Po Shqipëria çfarë të ka bërë që nuk le gjë pa thënë për të? Apo se të jepte bukë kur nuk kishe shtëpi. Sa keq. Po si nuk e the një fjalë të mirë për shqiptarët more akademik Mehmet Kraja? A nuk ka asnjë shqiptar tjetër përveç teje që të meritojë të jetë ai që i duhet kombit shqiptar? Pse o akademik Mehmet Kraja ke mendimin se askush nga udhëheqësit shqiptarë në gjithë hapësirën kombëtare nuk është i aftë të udhëheqë shqiptarët, nuk është i pastër të udhëheqë shqiptarët, nuk është i ditur të udhëheqë shqiptarët, nuk është me vizion të udhëheqë shqiptarët? Po kush mendon ti se duhet t’i udhëheqë shqiptarët? Pasi ne paskemi fuqi të korruptojmë edhe shtetet e botës, të korruptojmë edhe organizatat ndërkombëtare, si i bëhet? Jo akademik Mehmet Kraja, Serbia nuk kthehet më. Nuk kthehet”, është shprehur tutje Syla.

You may also like