Sveçla shkruan në Ditën e Çlirimit: 1 paragraf ia kushton lirisë, 4 të tjerë Lëvizjes Vetëvendosje

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkruar për Ditën e Çlirimit, ose së paku, ka shfrytëzuar këtë ditë të shkruaj për themelimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai në postimin e tij shkruan vetëm një paragraf për lirinë e Kosovës të arritur me sakrifica të mëdha, ndërsa më tutje ai gjithë postimin ia kushton 17 vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, Sveçla hedh një paralele të çuditshme midis lirisë së Kosovës dhe themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, të parën si pashmangshmëri e të dytën si domosdoshmëri.

I pari i rendit vazhdon postimin duke thurur lavde për LVV-në, zgjërimin e saj e shumëçka tjetër.

Ky është postimi i tij:

Lirinë e fituam pas një lufte të pabarabartë e me shumë sakrifica, por si popull historikisht e kemi pasur guximin dhe bindjen se duhet rezistuar deri në vetëvendosje të plotë të popullit tonë.
Liria dhe vetëvendosja janë një, e para pa të dytën nuk ka kuptim. Sot, festojmë 23 vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 17 vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Liria ka qenë e pashmangshme, ndërsa VETËVENDOSJE!, e domosdoshme.
Me qëllimin për të luftuar ndaj secilës padrejtësi ndaj popullit tonë dhe qytetarëve tanë, Lëvizja u organizua për 17 vite në çdo lagje e qytet, në çdo rrugicë e në çdo familje. Sot, Lëvizja është shtylla e fortë e Qeverisë e dera e hapur e qytetarit për zgjidhje.
Lëvizja do të jetojë sepse ajo nuk është ndalur asnjëherë, edhe kur është përballur me stuhitë më të mëdha që kanë synuar shkatërrimin e saj.
Vullneti, angazhimi dhe atdhedashuria e aktivistëve tanë, do ta mbajë Lëvizjen lartë përherë. /Lajmi.net/ 

You may also like