Sveçla njofton se është shtuar prezenca e policisë në veri, ishte e domosdoshme pas sulmeve të armatosura – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot është shtuar prezenca e policisë së rendit në veri të vendit.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka theksuar se kjo është vlerësuar si e domosdoshme pas sulmeve që kanë ndodhur ditëve të fundit.

“Policia e Kosovës ka mandat dhe detyrë ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”.

“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”, ka shkruar Sveçla.

Për shtimin e prezencës së forcave të policisë në veri të vendit ka njoftuar edhe PK. Ndërkohë në disa pamje që janë shfaqur në internet, shihen një grumbull prej 20-30 policësh që ecin në këmbë në Lagjen e Boshnjakëve, e cila është afër dy urave që ndajmë qytetin dhe që banohet me popullatë shqiptare, boshnjake dhe serbe.

Ministri Sveçla ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

You may also like