Suspendimi i Gjuriqit vetëm do ta tensionojë situatën në veri – Shqip

by admin
Spread the love

Ish-drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, ka thënë se vendimi për ta suspenduar drejtorin e Policisë në veri, Nenad Gjuriq, vetëm do ta tensionojë situatën në atë pjesë të vendit.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV, Hoxha ka theksuar se të gjithë dëshirojnë që në veri të shtrihet sovraniteti, por sipas tij, para këtyre vendimeve duhet të merren parasysh rrethanat gjeopolitike në të cilat gjendet Evropa.

“Lista Serbe ka paralajmëruar protesta për pasnesër. Ky vendim, pos tensionimit të situatës, nuk do të ketë asgjë tjetër. Pastaj problemi është se këto tensionime po na shiten si shkaktare. Nuk jemi kundër shtrimit të sovranitetit në secilën pjesë të Kosovës, por duhet të jemi më përgjegjës”, ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se vendimi i IPK-së për suspendim është konform ligjeve të Kosovës, porse rrethanat në atë pjesë të vendit janë më specifike.

“Është e rëndësishme që këto vendime të Qeverisë të kenë një vizion. Të mendohet se çfarë do të ndodhë pas atij vendimi. Këto masa mund ta eskalojnë situatën”, ka theksuar Hoxha, i cili bëri të ditur se sipas informacioneve që ka, Gjuriqi ka dhënë dorëheqjen pas vendimit për suspendim.

Ish-zëvendësministri i Brendshëm gjithashtu pati kritika për vendimin për shkallëzim të masave për çështjen e targave. Ka thënë se Qeveria është dashur t’i dëgjojë partnerët ndërkombëtarë për shtyrje të vendimit, meqë sipas tij, konvertimi i targave ilegale në RKS në veri nuk do të gjejë zbatim pa u arritur marrëveshja finale me Serbinë.

You may also like