Sulmi ndaj policisë në veri, Kurti: Bandat kriminale qëllojnë sërish ndaj patrullave tona

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit me armë këtë të shtunë ndaj zyrtarëve të Policisë në veri të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti është shprehur se kanë nisur hetimet në lidhje me sulmin, ku 10 të shtëna janë qëlluar në drejtim të Policisë Kufitare.

Kurti theksoi se fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati viktima, teksa shtoi se bandat kriminale vijojnë të vendosin barrikada ndaj vetes së tyre kundër zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

“Fatmirësisht nuk kishte viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë. Sot, rrugët janë pa barrikada. Por bandat kriminale vazhdojnë të barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”, ka shkruar Kurti në Twitter.

“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës kur serbët lokalë bllokuan rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia”, shkruan Kurti në rrjetin social, Twitter.

Njësia për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.

Ngjarja vjen vetëm disa ditë pas tensioneve të shënuara në Veri të Kosovës për shkak të vendimit për zbatimin e reciprocitetit të targave dhe letërnjoftimeve për serbët e veriut.

Këta të fundit bllokuan rrugët në shenjë proteste duke përdorur mjete të tonazhit të rëndë.

Lexo lajme interesante

You may also like