Studimi i ri/ Aktiviteti fizik në mëngjes më efektiv për humbje peshe

by admin
Spread the love
Studimi i ri/ Aktiviteti fizik në mëngjes më efektiv për humbje peshe

Të ushtruarit në mëngjes mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të peshës, zbulon një studim i ri.

Të ushtrohesh rregullisht në mëngjes, mund të ketë përfitime të mëdha për shëndetin tuaj. Ndërsa kjo është e vërtetë pavarësisht se në cilën orë të ditës ushtroheni, një studim i ri sugjeron se një orar i caktuar mund të përshtatet më së miri për ata persona që fokusohen në menaxhimin e peshës së tyre.

Studimi i ri, i publikuar në fillim të këtij muaji në Obesity, zbuloi se njerëzit që ushtrohen midis orës 7 dhe 9 të mëngjesit, ishin në gjendje të menaxhonin më mirë peshën sesa ata që stërviteshin pasditeve ose mbrëmjeve.

Ekipi hulumtues analizoi të dhënat nga 5,285 njerëz që morën pjesë në Anketën Kombëtare të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) 2003-2006 (NHANES).

Pjesëmarrësit u grupuan në bazë të zakoneve të aktivitetit fizik: mëngjes, mesditë dhe mbrëmje. Secili pjesëmarrës mbante një akselerometër në ijën e djathtë gjatë orëve të zgjimit për të matur aktivitetin fizik për katër ditë rresht deri në shtatë ditë, pas ekzaminimeve fillestare.

Studiuesit zbuluan se matjet e indeksit të masës trupore (BMI) dhe përmasat e belit ishin më të ulëta për ata që stërviteshin herët në mëngjes sesa pasdite, gjë që tregon rrezik më të ulët të obezitetit sesa njerëzit që zgjodhën të ushtroheshin pasditeve ose mbrëmjeve.

Ndërsa ka faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh kur diskutohet mbi obezitetin (si dieta dhe gjenetika), këto gjetje mund të jenë të dobishme për njerëzit që kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga stërvitja e tyre e përditshme.

Aktiviteti fizik, në përgjithësi, është shumë i rëndësishëm

Pavarësisht studimeve të reja, ekspertët thonë se ushtrimet e vazhdueshme në çdo moment të ditës janë të dobishme për shëndetin tuaj të përgjithshëm, pavarësisht orës specifike që zhvillohet.

Sipas studimit të ri, “mëngjesi është koha më e mirë e ditës për t’u stërvitur”, por se duhet të ketë më shumë prova dhe kërkime të mëtejshme për të thelluar të kuptuarit se pse mund të jetë kështu.

Por tani për tani, ajo që është më e rëndësishme për njerëzit është se duhet të punojnë më shumë për të menaxhuar peshën e tyre dhe se çdo ushtrim është një hap pozitiv përpara.

Ekspertët thonë se është e rëndësishme të gjeni kohë për çdo lloj aktiviteti fizik që ju pëlqen, veçanërisht nëse dëshironi të humbni peshë.

Aktiviteti fizik është me të vërtetë i rëndësishëm për shëndetin kardiometabolik –si kolesteroli, presioni i gjakut dhe sheqeri në gjak.

Ekspertët rekomandojnë që të filloni të ushtroheni për herë të parë, të filloni me diçka të thjeshtë. Diçka si një shëtitje 15 deri në 30 minuta disa herë në javë mund të jetë një mënyrë e arritshme për të filluar përfshirjen e aktivitetit fizik në orarin tuaj ditor.

Burimi: Health.com

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni

 

You may also like