Statistikat e Juve-Inter: Dominim bardhezi, por Inzaghi di si mposhtet “zonja e vjetër”

by admin
Spread the love

Java e 13-të e Serie A do të sjellë në ekranin e Oversport dhe Tibo shumë ndeshje të mëdha, por mbi të gjitha spikat derbi i Italisë, përballja Juventus-Inter. Kjo supersfidë do të luhet në “Allianz Stadium” aty ku pak më shumë se 6 muaj më parë, zikaltërit triumfuan falë një penalltie të kthyer në gol nga Calhanoglu, duke shuar përfundimisht shpresat e bardhezinjve për titullin kampion.

Skuadra e Inzaghit nuk fiton dy ndeshje radhazi në fushën e Juventusit, që nga sezoni 2003/2004 kur në pankinën e Interit qëndronte Alberto Zaccheroni.

Ndeshja e së dielës do të jetë përballja numër 179 mes këtyre dy skuadrave. Bilanci në përballjet e mëparshme anon dukshëm nga Juventusi që ka fituar 85 takime, Interi ka triumfuar në 48 raste, ndërsa 45 sfida kanë përfunduar në barazim. 255 gola kanë shënuar bardhezinjtë, ndërsa zikaltërit 207 gola.

Dominimi i Juventusit bëhet edhe më i frikshëm nëse marrim në konsideratë vetëm takimet e luajtura në Torino në Serie A. Bardhezinjtë kanë fituar 61 ndeshje, zikaltërit 12, ndërsa 16 takime kanë përfunduar në barazim. Juventusi ka shënuar 156 gola në këto përballje, ndërsa Interi 69 gola.

Simone Inzaghi mund të bëhet trajneri i dytë në historinë e Interit që arrin të fitojë dy transferta radhazi në Serie A kundër Juventusit pas Helenio Herreras, që e ka arritur këtë sukses tre herë në vitet 1961-1965.

Duke marrë në konsideratë të gjitha kompeticionet që kur nisi karrierën e tij si trajner (në prill të vitit 2016) Simone Inzaghi e ka mposhtur Juventusin 7 herë në 18 përballje dhe është trajneri që ka mundur më shumë bardhezinjtë në këtë periudhë.

Juventusi ka fituar tre ndeshjet e fundit në kampionat pa pësuar asnjë gol. Bardhezinjtë nuk ruajnë portën e paprekur për katër ndeshje radhazi në kampionat që nga dhjetori i vitit 2018. / Oversport.tv

You may also like