STAMBOLL – Aktivistët turq kërkojnë të dërgojnë flotën e ndihmës në Gaza

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Aktivistët turq po kërkojnë të dërgojnë një flotë anijesh që transportojnë ndihma në Rripin e rrethuar të Gazës, si pjesë e një fushate ndërkombëtare, tha një përfaqësues lokal.

“Qëllimi ynë është i njëjtë me “Mavi Marmara”. Ne po praktikojmë mosbindjen civile … Ne duam që bllokada izraelite të përfundojë”, tha Beheşti İsmail Songür, kryetar i shoqatës bashkëorganizuese me qendër në Stamboll.

Songür i referohej incidentit të vitit 2010 kur komandot izraelitë sulmuan anijen “Mavi Marmara”, duke vrarë 10 aktivistë. Anija kishte tentuar të thyente një bllokadë të Gazës duke shkaktuR një përçarje diplomatike.

Mbetet ende e paqartë nëse flota e planifikuar, për të cilën Songür tha se një fushatë dhurimi është duke u zhvilluar, mund të lundrojë në të ardhmen e afërt.

“Fushata, fillimisht ishte planifikuar të fillonte në mesin e vitit 2024, por ajo u çua përpara pasi lufta shpërtheu më 7 tetor”, tha Songür.

“Aktivistët janë ende në kërkim të anijeve. Përveç kësaj, moti i keq në Mesdhe aktualisht nuk do të lejojë lundrimin”, tha Songür.

Izraeli forcoi ndjeshëm bllokadën e tij prej vitesh të Gazës në përgjigje të vrasjes së izraelitëve nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

Në vitin 2010, “Mavi Marmara” u dërgua nga OJQ-ja islamike turke İHH.

Së fundmi ata kishin ndarë deklarata në mbështetje të Hamasit. İHH nuk është i përfshirë zyrtarisht në flotën e planifikuar.

“Nisma po nxitet nga një grup ndërkombëtar i quajtur Koalicioni i Flotilës së Lirisë”, tha Songür. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like