Spahiu: Humbësja më e madhe e zgjedhjeve lokale është Vetëvendosje

by admin
Spread the love

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se humbësi më i madh në zgjedhjet lokale për dallim nga ato nacionale është Lëvizja Vetëvendosje.

“Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve lokale në krahasim me zgjedhjet nacionale është Lëvizja Vetëvendosje. Nga mbi 400 mijë vota në nivel vendi tani as 170 mijë vota nuk ka arritur t’i bëjë është një humbje katastrofale”.

Spahiu në “Info Magazine” mes tjerash tregon arsyen që bëri që Vetëvendosje të përjetoj siç e quan ai “humbjen kombëtare”.

“Mendoj që është dështimi në nivel kombëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të mos mbajtjes së premtimeve. Ajo që iu është premtuar diasporës që të votojnë në ambasada ose konsullata ata me shumicën e votave në parlament nuk kanë arritur që të bëjnë ligjin për votimin e diasporës”.

“Ka dallim të madh nga niveli nacional në nivel lokal besoj që Kryeministri dhe Qeveria këtë ta marrin më seriozisht dhe nuk do të jenë më aq komod, pasi deri tani kanë qenë shumë komod pasi i kanë marrë mbi 56 përqind – por vota është mashtruese pasi qytetarët sot të votojnë e nesër nuk të votojnë”, u shpreh Spahiu.

Spahiu mes tjerash parashikoi një “përfundim” nëse partitë opozitare kthehen kundër pozitës.

“Lëvizja Vetëvendosje mbi tre çerekun e votuesve i ka humbur në çdo pesë votues i ka humbur tre dhe kjo tregon se nëse rezultati i zgjedhjeve përfundon që Vetëvendosje të mos fitojë asnjë kryetarë komune – në vijim mund të ndodh që partitë opozitare ta bllokojnë punën e qeverisë dhe të shkojmë në zgjedhje të reja”.

“Kjo do të krijojë një situatë që është e pakëndshme pasi mandati është legjitim, dhe partitë opozitare asnjëherë nuk e kanë humbur egërsinë e tyre ndërsa VV-ja tash e dy herë në pushtet nuk do të jetë ajo që gjuan gaz lotsjellës e të protestojnë pasi njerëzit nuk do ta mbështesin. Kurti ka bërë gabime të mëdha dhe qytetarët nuk do ta përkrahin më”.

Mes tjerash Spahiu nuk fajësoi Agim Bahtirin që humbi Mitrovicën e as Shpejtim Bulliqin që shkoi në balotazh në Podujevë.

“Faji ka qenë i Albin Kurtit dhe jo i Agim Bahtirit, ka qenë edhe një fushatë e shkëlqyer nga Bedri Hamza dhe duhet të jetë shembull për studentët. Hamza nuk ka dalë në debate me Bahtritin pasi e kish shkoq – por ka shfrytëzuar kohën për temat se ku duhet të fokusohet më shumë e si përfundim edhe e fitoi Mitrovicën”.

“Është e njëjta situatë që reflektohet në të gjitha komunat që tregojnë dështimin në nivelin qendror dhe jo atë lokal. Këtu [në Podujevë] ka edhe një segment tjetër ajo që më së shumti ka përfituar është LDK-ja që ka ndryshuar lidershipin e saj dhe në saje të kësaj ka pasur një progres të madh dhe është partia e parë në nivel vendi nga rezultatet”.

Teksa në garën për kryeqytetin Spahiu përkrahu Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nuk e kam parë planin e Arben Vitisë por di se po e godet Përparim Ramën në pikë të dobët – përjashto këtë çështjen e stadiumit që është e pavend besoj unë. Mirëpo, këtu e ka gjetur një pikë të tij të dobët dhe e ka sulmuar”.

“Programi i Përparim Ramës duket shumë serioz por sa arrin ta jetësoj është një gjë tjetër. Programi i Ramës është më i qartë dhe i dukshëm për dallim prej Vitisë” u shpreh Spahiu.

You may also like