Sot luhet Lazio-Marseille, me kë do të jetë tifoz Lorik Cana? Rrëfimi special i kapitenit: Kam qarë për këtë skuadër

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Lazio-Marseille është edhe ndeshja e Lorik Canës, ish-lojtarin me gjak të “kaltër”. Në karrierën e tij i ka veshur të dyja fanellat duke i nderuar dhe duke gëzuar respektin e të gjithë tifozëve. Në një intervistë për sajtin “Gianlucadimarzio” legjenda e Kombëtares shqiptare tregon rrugëtimin e tij nga Prishtina.

“I kam jetuar aty 6 vitet e mia të para të jetës. U largova nga Kosova kur isha 7 vjeç. Im atë e kishte përfunduar karrierën si futbollist dhe situata në Jugosllavi ishte pak e nxehtë. Ai ishte larguar përpara nesh, ndërsa unë bëra edhe një vit shkollë. Pastaj e kuptuan se çfarë do të ndodhte dhe vendosëm që të transferoheshim të gjithë në Zvicër si refugjatë. Qëndruam në Lozanë”, tregon ish-kapiteni i Shqipërisë.

Loriku ka lindur në Kosovë, por gjithmonë thotë se është tifoz i Marseilles. Ja pse. “Ishte viti 1990 dhe në atë kohë ishte OM e madhe me Bernard Tapie. Kur erdhëm në Lozanë gjeta shumë tifozë të OM, kështu si në të gjithë Francën dhe në të gjitha zonat frankofone.

Nisa ta ndiqja skuadrën dhe kam qarë pas humbjes me penallti në finalen e Champions-it në vitin 1991. Por u rrita duke ndjekur një ekip të fortë. Djemtë e brezit tim ishin thuajse të gjithë tifozë të Marseille. Kështu që ishte natyrale që edhe unë të dashurohesha me atë skuadër”.

Pastaj fati u fut në mes. “Kur je fëmijë ëndërron gjithmonë që të luash për klubin që bën tifo dhe për të cilin jeton nga mëngjesi në darkë. Kur kjo ndodh përjeton një emocion të jashtëzakonshëm”, thotë ai. Por përpara se të shkonte te Marseille, kaloi nga PSG-ja.

“Fati më çoi fillimisht në Paris. PSG-ja është klubi im i parë, me të cilin bëra në një provë dhe i pari profesionist ku km luajtur. Ishte i pari që më solli në Francë. Pavarësisht se jam një tifoz i Marseilles, do t’i jem gjithmonë mirënjohës Parisit. Pas 3 vitesh aty telefonova vetë Marseille.

Presidenti në atë kohë ishte Pape Diouf dhe i thashë që do të më pëlqente të luaja aty sepse ka qenë gjithmonë klub më i rëndësishëm në jetën e tij. Pas një muaji e gjysmë që arrita aty, shënova golin e fitores kundër PSG-së në ‘Velodrome’. Kishim 9 humbje ndaj Parisit dhe me një golin tim thyem tabunë. Ishte diçka e bukur”, tregon ai.

Jo vetëm Marseille. Në zemrën e Canës, i cili jeton ende në Romë, ka vend edhe për Lazion, skuadër ku luajti nga viti 2011 deri në vitin 2015. “Aventura me Lazion nuk nisi si duhet. Kam pasur vështirësi në fillim për shkak të një dëmtimi në shpinë dhe nuk mund të jepja më të mirën. Nga sezoni i dytë gjërat shkuan më mirë. Për fat të keq u eliminuam në çerekfinalet e Europa League atë vit. Fituam Kupën e Italisë në finale kundër Romës dhe kjo na futi në historinë e derbit”.

Sot do të luhet Lazio-Marseille dhe Loriku analizon sfidën. “Në vitin 2018 Lazio fitoi pa shumë probleme si në ndeshjen e parë dhe në të dytën. Por në krahasim me 3 vite më parë, ka më pak diferenca mes skuadrave. Këtë vit ka shumë skuadra të ekuilibruara.

Marseille ka një identitet loje sulmuese dhe luajnë me një skemë që duket afro 3-3-4 dhe ka lojtarë shumë interesantë. Lazio ka më shumë eksperiencë dhe Sarri i përgatit mirë ndeshjet. Ky mund të jetë një favor për lacialët. Do të jetë një ndeshje e bukur”, tha Cana.

Kështu afrohet kjo ndeshje speciale, ku ai bashkë me të birin do të jetë në tribunën e stadiumit. Mirëpo për zgjedhjen e skuadrës nuk ka dyshime. “Kur kam ardhur në Romë kam njohur bashkëshorten time. Tani jetoj këtu bashkë me të dhe fëmijët. Im bir është 6 vjeç dhe është roman. Flet italisht dhe bëjmë tifo për OM.

Por në Itali ai është me Lazion dhe është normale. Është krenar për këtë. Përpara dy javësh ishim në stadium dhe pa për herë të parë një ndeshje live. Sot do të jemi sërish në stadium dhe e dini çfarë më tha: Babi, do të jetë hera e parë që shkojmë për të parë një ndeshje të Lazios, pa bërë tifo për Lazion. Ne do të bëjmë tifo për OM. Do të jetë ndeshje e bukur”, përfundoi legjenda kuqezi.

Burimi: oversport.tv

You may also like