“Social Media Day”, më shumë se gjysma e popullsisë botërore përdor rrjetet sociale

by admin
Spread the love

Rrjetet sociale e kanë lidhur botën në një mënyrë si kurrë më parë. Sot, platformat e rrjeteve sociale janë pjesë e pandarë e jetës së miliarda njerëzve në botë. Pjesa më e madhe prej nesh e nis dhe e mbyll ditën me rrjetet sociale, diçka që është kthyer në një ritual.

Në njëfarë kuptimi, çdo ditë është Dita e Rrjeteve Sociale. Dhe për këtë, është krijuar një ditë kushtuar rrjeteve sociale.

30 Qershori është shpallur Social Media Day (Dita e Rrjeteve Sociale), për të kujtuar miqësitë e mëdha që njerëzit kanë lidhur nëpërmjet Facebook, Instagram, Twitter dhe platformave të tjera.

Kjo ditë u krijua nga shoqëria mediatike argëtuese dhe shumëplatformëshe, Mashable, në vitin 2010. Me seli në Nju Jork, Mashable u themelua në vitin 2005, nga Pete Cashmore.

 

Kuptimi i Social Media Day

Rrjetet sociale jo vetëm që lidhin njerëzit me familjarët dhe miqtë, por shumë njerëz fitojnë para falë tyre. Ndikimi socio-ekonomik dhe kulturor i rrjeteve sociale në vende ishte revolucionar dhe Social Media Day e njeh këtë fuqi.

Një arsye tjetër që nxiti Mashable të krijonte Social Media Day është vlerësimi i ndikimit që rrjetet sociale kanë në komunikimin në botë. Pavarësisht shqetësimeve që lidhen me rrjetet sociale, ato u kanë dhënë zë njerëzve të zakonshëm dhe u kanë ofruar atyre mundësi të ndryshme.

Platformat e rrjeteve sociale më të përdorura janë Facebook, Twitter, LinkedIn, Instagram, WhatsApp e TikTok. Platforma e parë e rrjeteve sociale ishte Friendster në vitin 2002, më pas lindi Linkedin në 2003 dhe Facebook në 2004.

Më i fundit në listë, me mjaft peshë në rrjetet sociale është TikTok. Aplikacioni, i prezantuar në 2016, u bë i famshëm veçanërisht te të rinjtë falë funksioneve të muzikës dhe videove.

Sipas një statistike të SmartinsIghts, më shumë se gjysma e popullsisë botërore përdor rrjetet sociale (58,4%, ose 4.62 miliardë persona), përdorimi mesatar në ditë është 2 orë e 27 minuta.

Këto platforma janë vënë në shënjestër të kriminelëve kibernetikë për të gjurmuar zakonet e përdoruesve dhe fjalëkalimet e përdorura.

Për këtë arsye, ekspertët e shoqërisë së sigurisë Yoroi këshillojnë kufizimin e ndarjes së informacioneve personale, përdorimin e email-eve, log-in dhe fjalëkalime të ndryshme për shërbimet e ndryshme që përdorim, krijimin e fjalëkalimeve të gjata, të ndërlikuara dhe komplekse, duke mos iu referuar pasioneve, hobeve, vendeve.

You may also like