S’mund të ndryshohet lista e festave zyrtare për shkak të mungesës së Listës Serbe në Kuvend

by admin
Spread the love

Deputeti Fridon Lala nga IRDK ka paraqitur për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare, por kjo s’arriti të kalojë për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.

Lala tha se komuniteti egjiptian është i vetmi komunitet që i mohohet e drejta kushtetuese për të pasë ditën e tyre sikur komunitetet tjera.

Për t’u ndryshuar ky ligj kërkohen 11 vota të deputetëve nga komunitetet dhe në mungesë të atyre serbë s’mund të kalohet.

Për këtë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se Lista Serbe sërish po i bojkoton seancat e Kuvendit, prandaj projektligji duhet shtyrë.

Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri tha se e mbështesin kërkesën e deputetit dhe shtroi kërkesën që të ndryshojë lista e festave zyrtare për të eliminuar disa prej tyre.

“Si grupe parlamentare duhet të ulemi dhe ta bëjmë një rishikim të festave zyrtare, të cilat janë veç në Kosovë, për shembull Dita e Europës”.

You may also like