LUBJANË, 2 tetor /ATSH-AA/ – Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon i bëri thirrje qeverisë izraelite që të ndalojë ofensivën e saj joproporcionale ushtarake në Gaza dhe Liban.
“Netanyahu, ndalo luftën!”, tha ajo, duke shprehur shqetësimin e saj për rritjen e viktimave civile dhe rrezikun në rritje të një lufte më të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme.
“Ajo që ne shohim në terren është më shumë se një milion persona të zhvendosur. Një ofensivë tokësore… që ne po u bëjmë thirrje me forcë të gjitha palëve që të përmbahen nga ajo, të mbrojnë civilët dhe të mos shkojnë më tej në përshkallëzimin e luftës”, tha Fajon.
Kryediplomatja sllovene tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë jashtëzakonisht të shqetësuara për përshkallëzimin e fundit dhe se po vazhdojnë përpjekjet e tyre për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
“Ne gjithmonë kemi thënë se ajo që po ndodh në Gaza, me shkelje të ligjit ndërkombëtar, me vrasje të civilëve të pafajshëm dhe fëmijëve dhe grave, do të përshkallëzohet më tej”, tha ajo.
“Dhe kjo është ajo që ne po dëshmojmë sot. Pra, është një thirrje urgjente e gjithë Bashkimit Evropian, veçanërisht vendit tim, për të ndaluar këtë dhunë në terren, për të mbrojtur civilët dhe për respektimin e ligjit ndërkombëtar”, shtoi ministrja sllovene./ /os/