Skenari i protestës përballë bllokimit, ja çfarë do të ndodhë nesër nga ora 12:00 kur nis tubimi i opozitës

by admin
Spread the love

Partia Demokratike këmbëngul për të zhvilluar protestën para Kryeministrisë pavarësisht deklarimeve të policisë për të mos lejuar thyerjen e kordonit të policisë që nis prej urës së Lanës në afërsi të hotel të Dajtit.

Burimet kanë bërë të ditur se një pjesë e tubuesve do të mblidhen në sheshin “Skënderbej” ndërsa kryetari i selisë blu Sali Berisha, i shoqëruar me një grup të mbështetësve do të niset pak para orës 12 prej Partisë Demokratike për t’ju bashkuar mbështetësve në bulevardin drejt Kryeministrisë.

Megjithatë ende nuk është e qartë nëse do të ketë një podium për folësit, nëse ai do të vendoset pranë urës apo do të bëhet e mundur që sërisht të protestohet poshtë zyrave të kryeministrisë. Megjithatë mësohet se ndryshe nga protesta e parë, do të ketë më pak politikanë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile që do të flasin para protestuesve.

Do të jenë rreth 10 folës që do të shprehin shqetësimet dhe denoncimet e tyre pikërisht në kohën kur delegacionet e Ballkanit dhe Bashkimit Europian do të jenë në nisjen e sesionit të dytë të takimit.

Po ashtu dhe kryetari i demokratëve Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të kenë qëndrimet e tyre për të denoncuar sipas tyre korrupsionin e qeverisë Rama.

Berisha: Çdo shqiptar që e do këtë vend, që e do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe fëmijëve të tij në liri dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne për ti dëshmuar lidershipit europian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së shqiptarëve Edi Rama.

Nga ana tjetër të rinjtë demokratë dhe organizatorët do të paraqiten në protestën e parashikuar për të nisur në orën 12 me banderola të ndryshme nga më parë, por pa dhënë detaje paraprake për to dhe simbolika të tjera kundër mazhorancës dhe qeverisë së Ramës.

You may also like