Skandali i përgjimeve po trondit qeverinë greke, Mitsotakis: Të rinovohet shërbimi sekret

by admin
Spread the love

Skandali i përgjimeve po trondit qeverinë greke të drejtuar nga Kiriakos Mitsotakis. Dy ditë më parë dhanë dorëheqjen drejtori i Shërbimit Informativ dhe sekretari i përgjithshëm i kabinetit të kryeministrit.

Në një konferencë për mediat mbi këtë çështje kreu i qeverisë  u shpreh se ai nuk kishte dijeni që kreu i partisë opozitare ishte përgjuar nga inteligjenca greke në vitin 2021,  duke shtuar se ai kurrë nuk do ta lejonte një gjë të tillë.

“Edhe pse gjithçka ishte bërë në mënyrë të ligjshme, Shërbimi Informativ Kombëtar nënvlerësoi dimensionin politik të atij veprimi. Ishte formalisht legjitime, por politikisht e papranueshme. Nuk duhej të kishte ndodhur dhe minoi besimin e qytetarëve në inteligjencën kombëtare”, u shpreh  Mitsotakis.

Kryeministri tha se rasti i fundit nxori në pah defektet e shërbimit sekret grek dhe premtoi një rinovim të  këtij institucioni.

Pak ditë më parë dy gazetarë zbuluan se telefonat e tyre ishin përgjuar.

Ndërsa më 26 korrik, kreu i Lëvizjes Socialiste (PASOK), Nikos Androulakis, zbuloi se telefoni i tij ishte vendosur po ashtu në shënjestër  të përgjimeve, çka çoi edhe në dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë.

Në një seancë të mbyllur në parlament më 29 korrik, kreu i shërbimit informativ  pranoi se kishte përgjuar dy gazetarë investigativë grekë. Shërbimet sekrete përmendën arsyet e sigurisë kombëtare si justifikim pas tensioneve me Turqinë në Mars 2020.

You may also like