Skandali i korrupsionit, pse Parlamenti Evropian është institucioni më i dobët i BE

by admin
Spread the love

Skandali i korrupsionit që përfshiu disa zyrtarë të Parlamentit Evropian ka ngritur pyetje mbi cënueshmërinë e institucioneve të BE-së nga influencat e jashtme.

Presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se situata përbën një shqetësim maksimal.

“Për ne është kritike jo vetëm të kemi ligje të forta, por edhe që të njëjtat ligje të vlejnë për të gjitha institucionet, pa asnjë përjashtim. Pra, është një çështje transparence”, tha  Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Sipas Alberto Alemanno, ekspert ligjor pranë Shkollës së studimeve tregtare në Paris, Parlamenti Evropian është institucioni më i dobët.

“Është i vetmi institucion që virtualisht nuk ka rregulla për përfaqësuesit e tij, përveç rregullave të dobëta sa i takon etikës. Pra, në thelb, çereku i përfaqësuesve janë të ekspozuar ndaj konfliktit të interesit. Dhe kjo prek jo vetëm imazhin e Parlamentit Evropian, por edhe procesin e integrimit dhe vetë interesat e BE-së në një kohë ndryshimesh të paprecendenta gjeopolitike”, theksoi ai.

Me një nënkryetare të Parlamentit dhe një euro-deputet të përfshirë, duket qartë se blloku evropian duhet të rishqyrtojë rregullat e lobimit, për të parandaluar korrupsionin.

“Bashkimi Evropian ka në letër një sistem etike dhe integriteti shumë të sofistikuar dhe të avancuar. Megjithatë, ai përmban një sërë boshllëqesh dhe ky është rasti i Parlamentit Evropian. Ndaj le të shpresojmë se ky do të jetë momenti i pranimit, pasi shumë liderë politikë e kanë kundërshtuar, të nevojës për miratimin e rregullave më të forta”, u shpreh Alemanno.

Sipas kodit të brendshëm të sjelljes, ligjvënësit e Parlamentit Evropian nuk mund të pranojnë dhurata me vlerë 150 euro e sipër, ndërsa nuk janë të detyruar të raportojnë për takimet e tyre me lobistë apo aksionerë, përveç rasteve kur janë vetë të lidhur.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, paralajmëroi se besueshmëria e Bashkimit Evropian është vënë në pikëpyetje në rastin e korrupsionit të dyshuar në Parlamentin Evropian.

Ajo bëri të ditur se ky, siç e quajti ajo, “incident i pabesueshëm”, duhet të zbardhet tërësisht me zbatimin e plotë të ligjit.

“Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Bashkimit Evropian, kështu që ka pasoja në fusha të ndryshme”, tha Annalena Baerbock.

Gjyqësori belg kreu disa kontrolle të premten si pjesë e një hetimi të hapur në mes të korrikut të këtij viti për një organizatë të dyshuar kriminale që depërtoi në zemrën e Parlamentit Evropian dhe dyshohet për ndërhyrje në politikën e sindikatave dhe korrupsion përmes Katarit.

Zyra e Prokurorisë Federale njoftoi se janë kryer 16 kontrolle në disa komuna të Brukselit dhe se kontrollet janë kryer si pjesë e një hetimi të gjerë për aktet e dyshuara të organizimit kriminal, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 600 mijë euro para në dorë, si dhe pajisje kompjuterike dhe telefona. Prokuroria belge ka ngritur dje akuza ndaj katër personave të dyshuar për marrjen e parave dhe dhuratave për të ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian në favor të një shteti të Gjirit.

Parlamenti Evropian njoftoi se zëvendëspresidentes Eva Kaili i pezulluan kompetencat dhe detyrat, ndërsa socialistët grekë, Lëvizja PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftuan se ajo u përjashtua nga partia.

You may also like