Skandal në prag të garave

by admin
Spread the love

Një skandal pritet të prekë Lojërat Olimpike dimërore “Pekin 2022”, që nisin pas një jave. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka hedhur dyshime në lidhje me trukime në kualifikueset e garave të skive. Sipas IOC, disa sportistë janë kualifikuar pasi kolegët e tyre nuk “dinin” të bënin ski, ose më saktë kanë bërë qëllimisht paraqitje të dobta.

Kjo ka detyruar Federatën Ndërkombëtare të Skive të rritë nga 153 në 157 numrin e sportistëve të garave të skisë alpine të kualifikuar për “Pekin 2022”. Eventet e dyshuara janë ato të zhvilluara në Dubai, Kolashin dhe Malbun, ku kanë përfituar një biletë për në Olimpiadë sportistë që vijnë nga vende ku nuk bie kurrë dëborë.

Kjo është bërë për të rritur numrin e delegacioneve dhe të fondeve për Komitetet Olimpike. Dyshimet e para vijnë nga Dubai (17-20 nëntor 2021), ku janë kualifikuar indiani Arif Mohd Khan, Maksim Gordeev i Kirgistanit dhe Salman Alhowaish i Arabisë Saudite. Në këtë garë disa skiatorë kanë ulur qëllimisht ritmin e tyre.

Gara e dytë është ajo e zhvilluar në Kolashin (22-23 nëntor), organizuar nga dy shtete që nuk kanë lidhje me dëborën (Xhamajka dhe Timori Lindor).

Mësohet se në këtë turne ka patur edhe kërcënime me vdekje për disa skiatorë dhe janë kualifikuar të tjerë skiatorë anonimë. Gara e tretë është ajo e Malbun, ku gjithashtu është përsëritur e njëjta skemë. Sipas hetimit, këta persona të kualifikuar kanë fituar një vend në Olimpiadë, duke ua marrë atë sportistëve që e meritonin.

You may also like